Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ka ngritur shqetësimin në lidhje me bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Sipas Dumanit, mungesa e bashkëpunimit me Policinë vjen për shkak të rezultojnë policë të përfshirë në nivele të larta.
“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha kreu i SPAK.
Altin Dumani kërkoi ndryshimin e ligjit për prokurorët e SPAK me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas përfundimit të mandatit.
“Statusi aktualisht parashikon që prokurorët e SPAK pas përfundimit të mandatit 9 vjeçar të kthehen në prokurorinë ku kanë ushtruar më parë funskionin. Për shkak të ndryshimit të hartës një pjesë e këtyre prokurorive nuk ekzistojnë. Adnani nuk di ku të shkojë se është shkrirë prokuroria e krimeve të rënda. Është investuar aq shumë për ngritjen e tyre profesionale jo vetëm nga shteti por dhe ndërkombëtarët. Këta janë aset. Nuk kemi luksin ti çojmë në një vend tjetër. Nuk kemi aq burime njerëzore, e të kualifikuar dhe me integritet sa të plotësojmë boshllëqet e krijuara. Rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar. Do të thotë unë si Altin Dumani do të vij të konkuroj. Nuk thashë të emërohet automatikisht” -tha Dumani.
Kreu i SPAK gjithashtu ngriti edhe shqetësimin për punën e ngarkuar për shkak të mungesës së hetuesve, dhe atyre profesionistë. Sipas Duimanit, prokurorët e SPAK janë kthyer në punëtorë krahu.
“Nëse kemi hetues të mirë e profesionistë puna e prokurorit lehtësohet. Prokurori në një vend tjetër nuk kryen hetimet, kontrollon punën e hetuesit. Ne jemi kthyer në punëtor krahu, bëjmë çdo gjë vetë. Prokurori i SPAK është ndër më të kontrolluarit e monitoruarit. Ne kontrollohemi përditë sa I takon integritetit. Monitorohemi nga ju. Drejtuesi i SPAK raporton në Kuvend. ILDKP na kontrollon në asetet tona. Pastrimi I parave monitoron cdo lëvizje në llogaritë tona bankare. Kontrollohen komunikimet tona. Jemi njerëzit më të kontrolluar. Nuk ka si të vijë rreziku sa kohë që kontrollohemi e monitorohemi nga institucione të tjera.” – tha Dumani.
Në një moment ka ndodhur një debat mes kreut të SPAK dhe një prej anëtarëve të KLP-së, Tartar Bazaj, kur e pyeti nëse prokurorët e SPAK a mund të paraqesin rrezikshmëri për kandidatët e tjerë.
Tartar Bazaj: A mund të paraqesni rrezikshmëri për një kandidat. Ju i regjistroni një procedim penal për ta penguar për ta promovuar si deputet.
Altin Dumani: As nuk duhet ta mendosh aq më tepër në cilësinë e anëtares së KLP-së e nuk duhet ta mendosh dhe nuk ndodh kurrë. Zoti Baze ti nuk duhet ta mendosh dhe nuk ndodh kurrë në SPAK, dakord./O.S