Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar si të papranueshëm një sulm fizik ndaj dy gazetareve të një portali lokal në Prishtinë të mërkurën, duke e cilësuar atë si kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.
Gazetaret e portalit Lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha, u sulmuan fizikisht të mërkurën nga një çift në Rrugën C në kryeqytet, sipas AGK-së dhe portalit.
Portali e publikoi një video e cila shfaq një grua dhe një burrë duke iu vërsulur gazetareve në fjalë dhe duke tentuar t’ua ndalojë xhirimin atyre.
Sipas portalit Lajmi.net, gazetaret e tij u sulmuan “pasi që taksi në të cilin ndodheshin gazetaret ua kishte bllokuar rrugën atyre, dhe të njëjtit kishin filluar që ta sulmonin fizikisht taksistin”.
Lajmi.net tha se e ka paraqitur rastin në Polici.
AGK-ja u bëri thirrje Policisë dhe Prokurorisë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur.
Asociacioni i Gazetarëve i regjistroi 10 rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vitin 2023.
Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi me nga dy vjet burgim tre të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.
Ata u dënuan për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Vitin e kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2022 regjistroi 33 raste, ku gazetarët ishin viktima të dhunës fizike, të sulmeve apo kërcënimeve ndërkaq në vitin 2021 u regjistruan 29 raste të tilla.
Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e publikuar në vitin 2023 për të drejtat e njeriut në botë, përmendi “reagimin e dobët të organeve të shtetit” ndaj “çështjes së keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë”.
Në raportin për vitin 2022, organizata Gazetarët Pa Kufij e radhiti Kosovën në mesin e vendeve problametike sa u përket lirisë së mediave.
Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin paraprak./ REL