“Rroftë vdekja”, makabri mes dashurisë dhe urrejtjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

“Rroftë vdekja”

Togfjalëshi bombastik, që më pas u kthye në një sentencë gati stilistike por krejt inorganike, u lëshua si predhë nukleare a hidrogjeni, pikërisht në vendin ku njerëzit mund ta perceptonin dhe argumentonin më mirë se kudo tjetër, por ta pranonin më keq se kudo; në sallën lektorale të një universiteti.

“Rroftë vdekja!”

Sa filozofike është një shprehje e tillë?

Po të merremi me filozofinë e saj nuk do të mbarojmë kurrë. Sepse të gjithë filozofët janë marrë nga pak me vdekjen.

Për ata që nuk e dinë, le ta mësojnë se këtë sentencë me ngjyrim të qartë pezhorativ e ka ngritur në majat më të larta gjenerali fashist, – por që materialet e servirura nga media spanjolle cilësohet si falangist, – Hose Milan Astrai. Gjatë Luftës Civile Spanjolle bëhet e qartë se puna kryesore e tij ishte ajo e një propaganduesi brenda krahut frankoist. Më 29 shtator 1936, pasi Françisko Franko mori titullin e lartë Gjeneralizëm, Astrai u emërua kreu i Zyrës së Shtypit dhe Propagandës. Si ushtarak ai ishte një admirues i kulturës japoneze. Dhe mbeti i frymëzuar nga termi “Bushido” që do të thotë “rruga e luftëtarit” e që i referohet kodit etik të samurajve të cilët lulëzuan në Japoninë feudale. Nisur nga kjo praktikë e rreptë, erdhi dhe radikalizimi i idesë bazë të tij.

Më 12 tetor të vitit 1936, me rastin e kremtimit të Ditës së Trashëgimisë Hispanike, Milan Astrai, në prani të shumë studentëve, në mes të fjalimit të filozofit Migel de Unamuno, që ishte dhe rektori i Universitetit, gjenerali – asokohe kolonel, – bërtiti: “Vdekje inteligjencës…! Rroftë vdekja!”

A kishte sens një thirrje e tillë në një auditor me njerëz që e përçmonin vdekjen dhe vetë diktaturën? Por duket se Astrai diti ku ta hedhë tezën e tij, e cila më pas do të fabrikohej në të gjithë Spanjën duke u kthyer në një platformë.

Konflikti i tij me rektorin Unamuno hyri në histori. Sepse ky i fundit i indinjuar iu përgjigj: “Sapo kam dëgjuar thirrjen nekrofile dhe të pakuptimtë “Rroftë vdekja”. Ky paradoks qesharak më duket i neveritshëm. Ky është tempulli i inteligjencës dhe ju po përdhosni zonën e tij të shenjtë. Unë jam kryeprifti i tij.”

Si doli nga goja e bartësit të saj thirrja: “Rroftë vdekja”, ajo u bë pre e interpretimeve të shumta duke i dhënë të njëjtit togfjalësh shumë e shumë kuptime edhe pse përfaqësuesi i Frankos pati vetëm një qëllim kur e përmendi pikërisht në sallën lektorale të një universiteti.

Në ditë lufte thirrja “Rroftë vdekja” nis e bëhet më organike, për më tepër kur rrugët mbushen me kufoma civilësh dhe gjaku lag kalldrëmet po aq sa dhe shiu. Por në ditë paqeje, e njëjta thirrje tenton të gjejë nuanca të reja mbijetese.

Rroftë vdekja!

Në kuadrin e përgjithshëm të informacionit të përditshëm që vjen i përhershëm, e që ka të bëjë më së shumti me rastet fatale për jetën e një njeriu, të vjen në mend kjo shprehje që edhe pse nuk është një postulat, sërish kap një jehonë të madhe në gamën e saj:

Rroftë vdekja!

Ndoshta sepse është e pashmangshme. Ndoshta se vetë përjetësia nuk ka kurrfarë kuptimi. Ndoshta sepse kemi kaq shumë frikë prej saj ndaj nisim dhe e dashurojmë:

Rroftë vdekja!

Ne nisim vrapin tonë drejt vdekjes që nga çasti i parë i lindjes. Dhe rendim shumë shpejt në fakt. Gati në panik. Ndoshta sepse duam të arrijmë sa më parë në pikën fundore ku tek e fundit mendojmë se do të marrë fund makthi. Ose, ose, se… na pëlqen ta mbyllim në mënyrë të dyanshme kapitullin e lodhshëm të jetës. Një bashkëpunim mbresëlënës.

Në vetvete thirrja “Rroftë vdekja!” apo siç është në origjinal “Viva la muerte” përmban një paradoks; një kontradiktë në të cilën termat antagonistë anulojnë njëri-tjetrin. Vdekja është e gjallë ose jeta është e vdekur.

Axhanset e hedhur andej-këtej nëpër internet shpjegojnë se Unamuno me të drejtë ishte i shqetësuar nga një thirrje e tillë e fuqishme dhe me ngjyresë pis të zezë, sepse një personazh si Milan Astrai mund të diktonte normat e psikologjisë së masës. Dhe imagjinoni ç’mund të bëjnë një turmë masive që adhuron vdekjen.

Rroftë vdekja!

Kjo ishte motoja fashiste e Frankos. Falangistët spanjollë përveçse si filozofi e përdorën si një praktikë shfarosëse, pikërisht atëherë kur vetë nazistët e Adolf Hitlerit ende nuk e kishin shpallur platformën e tyre të spastrimeve masive. Por në praktikë kjo shprehje nuk mbeti vetëm brenda kufirit territorial spanjoll.

Lexo edhe :  Berisha e ‘klonët’ e tij kundër Dumanit, mbingarkesa e SPAK dhe Vettingu

Në Shqipëri nuk ka forca që të mund të mbështesin apo anatemojnë togfjalëshin makabër. Ka veç individë që e përqafojnë atë. Ata që kanë një motiv të shkojnë vetë drejt vdekjes, por dhe ata që shkojnë po aty por pa asnjë motiv. Duket sikur një shprehje e tillë nuk merr kuptim në një vend të tillë mesdhetar, po aq sa dhe Spanja mesdhetare. Ah… vetëm nëse flasim për vdekjen e ngadaltë të një kombi jo vetëm të kombasve të tij.

Përditë e më shumë njoftohemi nga rrjetet sociale se miq e të njohur, shpërngulen nga Atdheu për t’u përshtatur e filluar jetën nga fillimi në një vend të huaj. Padyshim, kjo në vetvete ka të bëjë me vdekjen. Ikën krahët e punës, ikën dhe inteligjenca. “Vdekje inteligjencës…!” do të bërtiste Hose Milan Astrai duke i ndërprerë në mes fjalimin filozofik të rektorit Migel de Unamuno.

“Vdekje inteligjencës…!” mund të bërtasim dhe ne tanimë, për një fakt të kryer.

Në librin “Viva la muerte! Política y cultura de lo macabro” të autorëve spanjollë Rafael Nunjez Florencio dhe Elena Nunjez Gonzalez shkruhet: “Vdekja e gjallë mund të jetë konfirmimi i trishtuar i rivalit të tij. Pavarësisht pabarazisë së tyre, midis mistikës nekrofile të fashizmit dhe pesimizmit të inteligjencës, një e zakonshme mund të shihet: prania dërrmuese e makabrit në kulturën dhe politikën spanjolle të shekullit të XX. Rrënjët e saj janë të thella”.

Kjo vlente për Spanjën e shekullit të kaluar.

Por gjërat nuk ndryshojnë vetëm se lëvizin numrat e viteve dhe shekujve. Duket bindshëm se makabri luan një rol vendimtar në kulturën tonë… Ai na tremb, na tërheq dhe na shqetëson, pasi kufizon me tmerr, me inat, me neveri dhe humor të zi. Dhe bashkëjetojmë ngushtë me Djallin të cilin kërkojmë ta bëjmë mik e ta kemi mirë, me idenë e shenjtë se mbase në këtë mënyrë do ta bindim që ai të vërë dorën në zemër dhe ta lejojmë të jetojmë ca ditë më tepër nga sa na takon. Por gjithaq e dimë po aq mirë se një pakt i tillë nuk të çon askund. Ndaj para se të bërtasim: Rroftë Jeta, në mendjet tona më së shumti qëndron stoike dhe e pandryshuar togfjalëshi: Rroftë vdekja!

Analogjia nuk ka të bëjë saktësisht me realitetin që jetojmë në Shqipëri dhe përgjithësisht krahasimet kanë çaluar në jetë të jetëve, por gjithsesi, e parë nga një prej këndvështrimeve duket sikur tek ne ka nisur të ngrihet fuqishëm shprehja: Rroftë vdekja!

Përplasje idesh. Qytetërimesh ndoshta. Inteligjenca është duke vdekur. Kjo ka më shumë vlerë për një vend si Shqipëria. Dhe këtu jemi në territorin tonë. Këtë kërkonte dhe Koçi Xoxe gjatë takimit me Enver Hoxhën, të cilin Kadare na i sjell sipas versionit të tij tek libri “Dimri i Vetmisë së madhe”: “Në mesnatë i trokitën te dera. Ai kishte menduar: përse në mesnatë, përse si baladat e mesjetës. Ai u ngrit dhe hapi derën. Te pragu rrinte nënkryetari i delegacionit, Koçi Xoxe, i shkurtër, me fytyrë të ndezur. S’gjeta kohë të bisedoja gjatë ditës tha: Kam diçka. Hyri. Biseda ishte e turbullt, tamam bisedë mesnate, në vend të huaj. Folën për Titon. pastaj për inteligjencien. Ishte një temë e preferuar për ministrin e brendshëm. Atë natë ishte jashtëzakonisht i eksituar. Ashtu si kapitalizmi krijon varrmihësin e tij, proletariatin, socializmi krijon varrmihësen e vet, inteligjencën, tha ai. Polemizuan gjatë, pothuajse u grindën”.

Gjithkush e ka një varrmihës. Edhe vetë socializmi. Antagonizmi jetë-vdekje ka qenë gjithmonë po aq “fragile” sot në periudhën e shpërthimit teknologjik sa dhe në epokën sumeriane.

Ne jemi viktima. Të projektuar si të tillë që në gjenezë. Të destinuar të dashurohemi me armikun tonë. Të detyruar të shkojmë drejt vendit, misteri i të cilit na frikëson më shumë se termi vet. Ndaj dhe pse duket sikur e urrejmë… në thellësinë tonë të skajshme e gati të panjohur ne adhurojmë: Rroftë vdekja!

Të fundit

Kuvendi i hap dritën jeshile ngritjes së komisionit anti-SPAK

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion u miratua në Kuvend në seancën e së enjtes. Komisioni u miratua me 74 vota...

Pse nuk i kemi adresat si e gjithë Evropa…?!

Nga Ben Andoni Identifikimi i adresës sime personale në Tiranë është gati po ai i vjetri me përjashtimin e vetëm, që emri i rrugës ka...

Vota e Diasporës/ Celibashi: Nga pikëpamja teknike është e garantuar

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se nga pikëpamja teknike vota e emigrantëve është e garantuar. Në një intervistë televizive, Celibashi është shprehur se...

Makinat e braktisura do zhvendosen në Farkë/ Veliaj: Zona e lirë sjell 5-7 mijë punësime

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku do të miratohen projektvendime me karakter social, tha se zona e...

Projektligji për komunikimet elektronike/ Balluku: Risi aksesi ndaj shërbimeve digjitale

Këtë të enjte po diskutohet në kuvend projektligji për komunikimet elektronike. Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar...

Lajme të tjera

Web TV