Fredi Beleri, përveç mandatit si kryetar i bashkisë Himarës, të hënën u njoh edhe me mandatin e eurodeputetit. Nga shtatë kandidatë në listën, Beleri u rendit i katërti. Edhe pse në burg, Beleri është një prej eurodeputetëve shqiptar në Parlamentin e ri Europian që do të përfaqësojë Greqinë.
Fredi Beleri, kryetari i zgjidhur i bashkisë Himarë fitoi garën si eurodeputet. Ai është në listën e fituesve nga Partia “Demokracia e Re” të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Në përfundim të votimeve të së dielës në Greqi për Parlamentin Europian, ai është renditur i katërti, mes 7 emrave që do të përfaqësojnë partinë e kryeministrit grek. Kjo është hera e dytë që Beleri nga burgu i Fierit fiton dy mandate, një kryebashkiaku dhe një eurdeputeti. Pasi u sigurua për fitoren e tij, Beleri ka reaguar nga qelia. “Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve. Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së Grekëve”, ka reaguar Beleri. Ai ka falenderuar minoritetin grek, grekët dhe familjen e tij për mbështetjen. “Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket dhe Grekët që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij”, shkruan ai. Legjislacioni shqiptar parashikon se një kryetar bashkie nuk mund të mbajë funksione të tjera dhe nëse Fredi Beleri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme e Apelit ai duhet të zgjedhë mes postit të eurodeputetit apo kryetarit të Bashkisë së Himarës. Por nëse dhe Apeli do të konfirmojë dënimin e tij, atëherë ai praktikisht humbet mundësinë për të drejtuar Bashkinë e Himarës, ku do të duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme. Kostituimi i Belerit si eurodeputet do t’i nënshtrohet rregullave të Bashkimit Europian. Sipas rregullores së Parlamentit Europian përpara se të mblidhet seanca e parë e Parlamentit kryhet verifikimi i eurodeputetëve të rinj. Rregullorja e Parlamentit Europian, përcakton se pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlamentin Evropian dhe Presidenti, nga ana tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për të shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës. Beleri bën dallim nga eurodeputetët e tjerë pasi është zgjedhur në Greqi, një vend i Bashkimit Europian dhe vuan dënimin me burg në Shqipëri, një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.