Diva e muzikës botërore me origjinë shqiptare, Dua Lipa, është shprehur krah Palestinës ashtu si shumë emra të tjerë të njohur nëpër botë.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për Radio Times, 28 vjeçarja ka treguar se është e përgatitur për të marrë reagime dhe kundërshtime të shumta, pasi i doli në mbrojtje Palestinës.
“Kur flas për gjëra që janë politike, kontrolloj dy herë, trefish veten që të jem OK. Kjo ka të bëjë me diçka që është shumë më e madhe se unë dhe është e nevojshme. Gjithmonë do të përballesh me reagime dhe opinione të njerëzve të tjerë, kështu që është një vendim i madh. E balancoj atë, sepse në fund të fundit, mendoj se është për të mirën më të madhe, kështu që jam e gatshme ta marrë atë goditje”, shprehet Dua Lipa.
Dua ka qenë një ndër personazhet e famshëm që i ka kërkuar Presidentit Joe Biden që të ndalen sulmet në Gaza dhe Izrael.
“Të qëndrosh pas një lideri të caktuar partie politike ndoshta nuk është rruga që dua të marr. Unë kam mbështetur gjithmonë laburistët, por nuk mendoj se do të dal publikisht pro ose kundër dikujt, sepse politikanët në përgjithësi thjesht do e gjejnë një mënyrë për t’ju zhgënjyer”, tha Dua./E.Ç