Çifti princëror i Uellsit prej një muaji janë me pushime, por nuk harruan të postojnë në llogarinë e tyre zyrtare në Instagram, një video falënderimi për ekipin olimpik të Britanisë së Madhe, i cili fitoi 65 medalje në Lojërat e fundit Olimpike në Paris.
Kate Middleton dhe Princi William , i cili u pa në publik për herë të parë me një mjekër, u shfaqën në videomesazh së bashku me të famshëm si David Beckham dhe Snoop Dogg. Videoja zbuloi vendndodhjen e pushimeve të tyre, e cila nuk është tjetër veçse Anmer Hall, shtëpia që ndodhet në Sandringham të Norfolk.
Prej disa kohësh po përflitet se Kate ka zgjedhur këtë shtëpi për të kaluar kohën si pjesë e trajtimit të saj për kancerin. Kjo shtëpi është përdorur edhe nga familja mbretërore si rezidencë kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së mbylljes për shkak të COVID-19.
Anmer Hall ishte një nga dhuratat e Mbretëreshës Elizabeth për çiftin pas martesës së tyre. Uilliam e vizitonte këtë rezidencë të veçantë kur ishte fëmijë, pasi shoku i ngushtë i babait të tij, Hugh Van Custem, kishte jetuar aty prej vitesh. Kur shtëpia u vu në dispozicion tëçiftit, pallati shpenzoi mbi 2 milionë dollarë për ta rinovuar atë strukturë.
Kate ishte e përfshirë gjerësisht në dizajnin e brendshëm të shtëpisë dhe, sipas revistës Town and Country, shpesh shihej duke bërë blerje në dyqanet lokale të dekorit.
Familja banoi në këtë shtëpi për ca kohë pas lindjes së Princeshës Charlotte dhe u zhvendos në Pallatin Kensington kur Williamit iu dhanë detyra shtesë si pjesë e titullit të tij.
Shtëpia është shumë e mbrojtur nga paparacët dhe nuk lejohen fluturime mbi hapësirën e saj, gjë që e bën atë ideale për pushimet e çiftit princëror, të cilët sidomos në këtë kohë kërkojnë qetësinë e tyre. Më sipër mund ta shikoni videon me Kate dhe William. S.B