Shqipëria pret në 2027 Samitin e NATO-s
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria në vitin 2027 do të presë Samitin e NATO-s. Këtë deklaratë shefi i Qeverisë e ka bërë gjatë konferencës “Tirana Diplo 24” ku morën pjesë gjithë ambasadorët dhe konsujt. Rama ju la porosi përfaqësuesve tanë në botë që ta përfqaësojnë Shqipërinë në një nivel të ri. Po ashtu Rama tha se Shqipëria është gati të hyjë në Europë në vitin 2030.
Në Pallatin e Kongreseve është mbajtur konferenca “Tirana Diplo 24” ku kanë marrë pjesë të gjithë ambasadorët dhe konsujt e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Në këtë takim mbajti fjalën dhe kryeministri Edi Rama ku ka njoftuar se në vitin 2027, Shqipëria do të mirëpres Samitin e NATO-s. “Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mikpresë liderët e 44 shteteve europiane nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi, vitin e ardhshëm në samitin e Komunitetit Politik Europian. Po ashtu ky respekt, besim e prestigj dhe roli i nje tjetër ambasadori që e sjell këtu si një shembull jo për ta veçuar nga të tjetër por të rinënvizuar sa e rëndësishme për ne është që të përfaqësohemi me volumin maksimal të ambicies e aftësisë për të qenë të respektueshëm, gjë që na jep mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s në 2027. Gjëra që ju e dini më mirë se unë që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë. Që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e ti besoheshin të tilla role. Ndërkohë kemi pasur dhe kryesimin e OSBE-së”, nënvizoi kryeministri Rama. Shefi i Qeverisë ju ka këkruar përfaqësuesve të Shqipërisë në botë që të jenë busulla e transformimit historik në sytë e botës. “Jetojmë sot në një kohë të shënjuar nga një transformim historik i Shqipërisë e kush thotë të kundërtën injoron faktet apo më keq akoma lufton me faktet si në planin e brendshëm atë të shtet ndërtimit demokratik. Progresi i kësaj kohe është i dukshëm dhe i përshëndetur botërisht. Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka luajtur rol kyç në këtë kohë transformuese e duhen shtyrë edhe më tutje”, tha Kryeministri Edi Rama në fjalën e hapjes së kësaj konference. Si provë që Shqipëria ka pësuar transformimin historik, falë dhe punës së ambasadorëve, janë dy evente të rëndësishme ndërkombëtare të cilat sipas Ramës do të jetë organizatorja dhe mikpritësja. Rama ju ka këruar diplomatëve të akredituar në botë se nuk duhet të vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. “Vullnet dhe angazhimi i plotë për të rritur kujdesin për shqiptarët jashtë atdheut. E kur aleancat dhe miqësitë e Shqipërisë janë të qarta dhe të pandryshueshme e rëndësisshme është të forcohet profili i Shqipërisë si partner i besueshëm. Të ruhemi nga daullet e nacionalizmit folklorik por as kompleks inferioriteti të mos kemi”, tha Rama.
Integrimi në BE
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Tirana Diplo 2024” bëri publik dhe objektivin tjetër. Ai tha se Shqipëria duhet të jetë gati për tu ulur në tryezën e BE-së në 2030 dhe për këtë roli i ambasadorëve është tepër i rëndësishëm dhe duhet të ngjiten në një nivel të ri. “E dimë shumë mirë që 2030 duhet të na gjejë në gadishmëri të plotë për tu ulur në tryezën e BE-së si anëtarë të barabartë të familjes europiane. Ne duhet të jemi gati. Është shumë më e lehtë të thuash e shumë më e vështirë ta bësh sepse kërkon që gjithcka që kemi bërë deri tani ta konsideorjmë një stad ku mund dhe duhet të ngjitemi në një nivel të ri. E për këtë arsye duhet me patjetër që trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri”, tha Rama.
Miqësitë e reja
Pasi tha se do të jetë në Europë në vitin 2030, shefi i Qeverisë tha se do shtrihen ura bashkëpunimi me vendet përtej Europës. “Sigurisht hapësira e BE-së është hapësira më natyrale për marrëdhëniet tona tregtare, e biznese por të mos harrojmë që kemi miq e miqësi të mira që kemi përforcuar ndjeshëm dhe duhet të kërkojmë më shumë, me Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite, Azerbajxhanin, që janë tre vende që ushqejnë ndjenja e kanë interes për të forcuar marrëdhëniet me ne dhe patjetër me Kuvajtin që është mik nga kohë më të vjetra për shkaqe historike që i dini dhe me Katarin”, u shpreh Rama në fjalimin e tij para ambasadorëve. Ai tha se është koha për të investuar në hapjen e dyerve në Indonezi, Filipine ku BE ka kthyer kokën për të kërkuar forcë punëtore. Duke u ndalur tek Shqipëria në rajon qasja është e qartë. Ndërsa Shqipëria do të ketë seli diplomatike dhe në Bosnje Hercegovinë. “Leximi i të ardhmes me sy të të shkuarës nuk na takon. Leximi ynë është ai i të lexuarit të së shkuarës me sy të të ardhmes. Kjo është qasja e pika kyçe mbi të cilat ngremë marrëdhëniet e ndërveprimet me rajonin. Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Turqinë e Greqinë. Së shpejti duhet të çelim dyert e ambasadës në Bosnje Hercegovinë. As Kosova nuk duhet lënë mënjanë. Detyra që ne kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Rama. po ashtu u ndal edhe në diplomacinë ekonomike. “Një vëmëndje më të madhe ambasadorët duhet ti kushtojnë diplomacisë ekonomike dhe për këtë tashmë sytë duhet të kthehen edhe përtej kontinentit Europian. Me Indonezinë kemi vendosur marrëdhënie që kanë dhe interes shumë të madh me ne, ashtu si dhe marrëdhëniet me Filipinet pasi të gjitha vendet e BE-së sot janë duke trokitur nëpotencial shumë të madh ato dyer për forca të reja pune dhe kjo është marrëdhënie shumë e rëndësishme. Më pas dhe Afrika e Kenia. Në Afrikë jemi krejtësisht të munguar dhe unë besoj që është e drejtë të hapim derën e parë në Kenia. Na duhet për shumë arsye e në mos për arsye të tjera”, tha Rama. “Tirana Diplo 2024” mbahet nga 26-28 gusht në Pallatin e Kongreseve dhe janë të pranishëm ambasadorët dhe Konsujt e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është organizatore e konferencës që ka në fokus sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.