Mandati
“Dorëzohet” PS, Xhaçkën e lë në duart e Kushtetueses
Demokratët dhe socialistët në Këshillin e Legjislacionit dhe Mandateve ranë dakord që ta dërgojnë në Kushtetuese mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Rasti i deputetes Xhaçka ka dy vjet që vërtitet në parlament, ku në një vendim të paprecedent PS në fillim votoi kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia dërguar asaj çështjen për interpretim, por tashmë është tërhequr.
Pas dy viteve mbrojtjeje, Partia socialsite ka vendosur dje sëbashku me Partinë Demokratike të dërgojnë Olta Xhaçkën në Gjykatën Kushtetuese. Mandati i Olta Xhaçkës që për demokrat po mbahet në kundërshtim me ligjin për shkak se bashkëshorti i saj, ish deputeti i PS-së Artan Gaçi ka marrë statusin investitor strategjik për të ndërtuar në Jug të Shqipërisë, do të gjykohet edhe një në Gjykatën Kushtetuese. Kështu duket se Partia Sociaslite e ka dorëzuar Olta Xhaçkën sepse ata janë tërhequr edhe nga ideja se do ta dërgonin për mendim Komisionit të Venecias. Në fillim të shtatorit vendimi i marrë në Këshillin e legjislacionit do të votohet në seancën plenare, e cila do të mbahet javën e dytë të shtatorit, për shkak se data 5 shtator është pushim në respekt të Shëndetrimit të Nënë Terezës. Kjo tërheqje e PS-së erdhi pas presionit të vazhdueshëm dhe reagimit të Gjykatës Kushtetuese e cila theksoi se ishte një rast i paprecedent, pasi vendimet e këtij institucioni janë të zbatueshëm dhe as Parlamenhti dhe as qeveria nuk mund të venë në diskutim sistemin.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve
Këshilli i Legjislacionit diskutoi për rreth 60 minuta mbi mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Demokratë dhe socialistë në Këshillin e Legjislacionit u dakordësuan që mocioni për Xhaçkën të shqyrtohet në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar. Për shkak se data pesë shtator është pushim, mocioni për mandatin e Xhaçkës do të shqyrtohej pikërisht të enjten e javës së ardhshme. Në kushte të tilla, mocioni për mandatin e Xhaçkës do të shqyrtohet në javën e dytë të shtatorit. Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit debati kryesor ishte nëse seancës duhej ti paraqitej edhe një raport ose jo. Socialistët kanë kërkuar që mos ketë një raport, por thjesht një vendim dhe të shoqërohet me konkluzionet, bazuar në vendimin e Kushtetueses. Ndërsa demokratët kanë këmbëngulur për hartimin e një raport që duhej të lexohej në seancë nga Kryetarja e Kuvendit. Por me apo pa raport, ajo që është konkluduar nga Këshilli i Legjislacionit është që në seancën e parë të Kuvendit do të shqyrtohet mocioni për mandatin e deputetes Xhaçka. Më pas do të jetë Kuvendi që do të shprehet dhe vendimi i përcillet Gjykatës Kushtetuese. Është kjo arsyeja që kjo e fundit i ka kërkuar Kuvendit të paraqesë qëndrimin apo vendimin e tij, lidhur me mandatin e Xhaçkës. Më pas Kushtetuesja do të shqyrtojë çështjen bazuar në vendimmarrjen përfundimtare të Kuvendit. Për mbi dy vjet, në Kuvendin e Shqipërisë debatohet mbi mandatin e Xhaçkës. Demokratët këmbëngulin se ajo në konflikt të pastër interesi, për shkak se gjatë kohës që ishte ministre dhe deputete e PS-së, bashkëshorti i saj, Artan Gaxhi, fitoi statusin e investitorit strategjik. Çështja është diskutuar në Kuvend, në Këshillin e Legjislacionit, deputetë të PD-së i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por socialistët nuk kanë pranuar që të dërgojnë në Kushtetuese mocionin. Tashmë së fundmi duket se debati për mandatin e Xhaçkës do të marrë rrugë dhe Kuvendi do të jetë i detyruar që t’i përcjellë Gjykatës Kushtetuese një mocion.
Diskutimet
Klotilda Bushka, deputete e Partisë Socialiste, shprehu dakordësinë e saj lidhur me draft-raportin e paraqitur nga opozita lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Bushka tha se është dakord që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancë “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”. Por, Bushka shtoi se nuk ka pse të ketë një raport, por të veprohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gazment Bardhi i Partisë Demokratike, në një replikë me Bushkën, tha se çështja nuk është aq e thjeshtë saç mundohet ta paraqesë ligjvënësja socialiste. Bardhi theksoi se deputetët socialistë injoruan Kushtetutën dhe vendosën të mos zbatojnë vendimin e saj. “Dhatë mesazhin më të gabuar, sepse vutë në diskutim zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ju dhatë mesazhin se nuk zbatoni vendime të drejtësisë nëse bien ndesh me interesat tuaja. Duhet të kishte një veprim nga drejtësia në këtë rast, pasi pengimi për të zbatuar një vendim gjyqësor është krim”, tha Bardhi. “Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo gjë, kemi një dispozitiv të Gjykatës Kushtetuese, pasi ju nuk pranoni të zbatoni vendimin. Për mbi dy vjet mbrojtët Olta Xhaçkën, shpërfillët vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Bardhi. Sipas saj Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, ndaj duhet të votojë pro mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Ola Xhaçka dhe dërgimin e çështjes në Kushtetuese. “Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese. Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato”, tha Çupi.