Ka nisur ditën e djeshme sesioni i ri parlamentar me palët politike që edhe pse u munduan të shpërndanin “mesazhe paqeje”, nënkuptuan luftë të ashpër. Opozita kërkon interpelanca me kreun e qeverisë dhe ministrat, ndërsa premton nisma ligjore por edhe denoncime. Parlamenti i zjarrtë në tetë muaj jetë, deri në zgjedhjet e reja. I vetmi pikëtakim dje ishte kalendari i punimeve në konferencën e kryetarëve.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë gjetur paqen në nisjen e sesionit parlamentar. Të paktën në konferencën e kryetarëve është rënë dakord për kalendarin e punimeve parlamentare, ndërsa seanca ka vijuar me fjalët e krerëve të grupeve parlamentare, pa debate, duke u “shtirur” të gjitha palët me një paqe të përkohëshme, pasi ndasitë dhe beteja politike pritet të jetë mjaft e ashpër për muajt në vijim, që kulmonjnë me zgjedhjet e përgjithshme. Vazhdimi nuk do të jetë “paqe”, por një “luftë” me akuza, denocime, padi e hakërrime. Dje në konferencën e Kryetarëve të majtët dhe të djathtët kanë rënë dakord që në 12 shtator do të hedhin për votim mandatin e Olta Xhaçkës për në Gjykatën Kushtetuese dhe është dakordësuar të mbahet interpelanca e kërkuar nga PD me kryeministrin Edi Rama për mbetjet toksike të Kurum drejt Tajlandës. Në 12 shtator do të nisë dhe beteja politike mes qeverisë dhe mazhorancës. Në Konferencën e Kryetarëve u miratua Programin dhe Kalendarin e Punës së Kuvendit për javët e ardhshme. “Konsensusi i arritur në këtë mbledhje të parë le të jetë një ogur i mirë për fillimin e sesionit të ri parlamentar”, shkruajti Spiropali përmes një postimi në facebook. Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u bëri thirrje palëve që të mbrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet me etikë parlamentare në respekt të Kuvendit dhe qytetarëve. Në fjalën e saj ajo nënvizoi se shumica qeverisëse gjatë sesionit të kaluar ka pasur mungesë tolerance ndërsa për pakicën tha se ka pasur mungesë vetëkontrolli. Në këtë kontekst ajo bëri thirrje për reflektim të gjitha palëve për një qasje tjetër parlamentare. “Zgjodha të zbres në podium që të dëshmoj se ndjej që vendi im është mes të barabartëve me njëri tjetrin po kaq të ndryshëm nga njëri tjetri. Kanë mbetur vetëm pak muaj deri në takimin tonë përballë votuesit që na rreshtoi përballë këtyre numrave. Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral secili nga ne do të shkojë me bilancet e veta politike dhe brengat se çfarë duhet të kishim bërë ndryshe. Është e pamundur të ndryshojmë të shkuarën tonë të përbashkët. Pendesa për gjykime vlen vetëm për të gjetur fort dhe korrigjuar se çfarë mund të bëjmë ndryshe. Reflektimi duhet të jetë i përbashkët që përfshin qortimin për të shkuarën dhe projeksionin e së ardhmes. Shumica e kësaj salle mund të ishte më tolerante të gjykonte kur ishte pakicë, kurse pakica të ishte më e vetëkontrolluar duhet të ishte më pak luftarake e më shumë. Në këtë fillim sesioni ju bëj thirrje palëve të mbrojmë pikëpamjet e qëndrimet tona me etikë parlamentare duke respektuar institucionin e kuvendit dhe qytetarët që kanë votuar e ndjekur. Shpesh jemi sjellë si shkak e pasojë të njëri-tjetrin ku mungesa juaj e kontrollit ka sjellë mostolerencën tonë, por rast pas rasti të dyja kanë shkuar vetë. Besoj se një qasje tjetër në ballafaqimin tonë. Ka ardhur dita”,tha Spiropali. Ndryshe nga Spiropali që ka këkruar paqe ne Kuvend, Bardhi renditi një listë të gjatë të arsyeve që sipas demokratëve e kanë kthyer Kuvendin në noter të aferave korruptive dhe vendimeve klienteliste të qeverisë. Sipas Bardhit edhe ky sesion i ri do të jetë një deja vu e 11 vite të qeverisjes së Edi Ramës, me shumicën që do të refuzojë të debatojë e votojë ligje që shkojnë në favor të qytetarëve. “Këto 12 vite janë treguesi më i qartë se për pushtetin personal Edi Rama është i gatshëm t’i vërë flakën Shqipërisë. Ka djegur konkurrencën, ekonominë e tregut, ka shkrumbuar vendin e punës, ka shkretuar qeverinë nga të rinjtë duke detyruar të ikin brenda një dekade rreth 1 milion shqiptarë. Nuk ka bërë kjo qeveri dhe ky parlament noter i qeverisë ndonjë punë të mirë që sot t’i thoshim punë të mbarë. Edhe ky sesion i ri nuk ka për të qenë i ndryshëm nga 11 vitet e qeverisjes së Edi Ramës. Praktika ka treguar se shumica në këtë sallë nuk ka vullnet për të debatuar ligje apo nisma e vendime që shkojnë në të mirë të qytetarëve. Kjo mazhorancë e ka kthyer Kuvendin në noter të vendimeve klienteliste dhe aferave korruptive. Kuvendi është kthyer në organin që dhunon më shumë Kushtetutën. Vetëm në sesionin e kaluar Gjykata Kushtetuese e ka zënë Kuvendin në flagrancë në shkelje të kushtetutës në të paktën 5 raste”, tha kreu i Grupit të PD
Bardhi bën “kapon” e PD-së
Sesioni i ri parlamentar, i cili paraprin zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 ka nisur me ndryshime për Lulzim Bashën. Kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi ka vendosur të ndryshojë vendet e deputetevë të opozitës. Kështu Lulzim Basha është spostuar në fund të sallës dhe në vendin kur dikur ulej ish kryetari i PD-së, ngjitur me Bardhin tani është caktuar Bledjon Nallbati. Ndërsa ka marrë nga fundi dhe afroi pranë vetes Flamur Nokën. Deputeti Enkelejd Alibeaj me të vetët është ulur në rreshtat e fundit të sallës. Jo vetëm kaq Bardhi ka vendosur që Basha të mos jetë më në delegacionin e Këshillit të Evropës. Ai do të zëvendësohet nga Albana Vokshi. Kryetari i grupit PD-së heq Bashën nga forumi ku së fundmi ishte votuar me unanimitet nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të KE, si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Në nisje të seancës parlamenatre për këtë sesion, Gazmend Bardhi ka grisur letrën ku Kreu i Shtetit, Bajrma Begaj jua kish vënë përpara depuetëve si një mesazh për të pasur “paqe” dhe bashkëpunim në Kuvend. Në letër Begaj kërkonte dialog politik në vend dhe që demokracia të mbetet prioritet.