Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka tentuar të zgjidhë një problem në matematikë, por ka gabuar në gjendjen e të panjohurës dhe gafa e tij ka përfunduar jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në mediat ndërkombëtare.
Prestigjozja “Politico” e cilësoi gafën e kreut të ekzekutivit kosovar “incident të algjebrës” ndërsa lajmi mban titullin “Kryeministri i Kosovës kërkon falje për ngatërrimin e enigmës matematikore të fëmijëve”.
Gjithçka ka ndodhur kur kreu i qeverisë së Kosovës inaguroi shkollën “Ali Hadri” në Podujevë. I diplomuar për Elektroteknikë në Universitetin e Prishtinës, Albin Kurti mori menjëherë shkumësin, iu drejtua dërrasës së zezë dhe nisi të zgjidhte ekuacionin me një të panjohur. Por e ngatërroi gjithçka duke e nxjerrë X=5 dhe jo 0 siç ishte edhe përgjigjja e saktë.
Aty për aty askush nuk e vuri re gafën e Kurtit, me përjashtim të mësueses së klasës e cila për disa momente mbeti e hutuar teksa shihte përfundimin e ekuacionit.
Por në rrjetet sociale, komentet për Albin Kurtin ishin të shumta. Disa e cilësuan “ekspozim të sofizmit” dhe “demistifikim të mitit” rreth kreut të ekzekutivit, kurse disa të tjerë konsideruan se ky rast zbuloi në thelb “paaftësinë e tij për të menduar”.
Lidhur me gafën në matematikë, Kurti bëri edhe një status në Facebook, ku kërkonte falje për çfarë kishte ndodhur.
“Më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve.
Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj.
Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, shkruan Kurti./ S.M