Ditën e djeshme është mbajtur mbledhja e kryesisë së PD-së, ku nga banesa ku ndodhet në “arrest shtëpie”, Sali Berisha vendosi për rolin e secilit. Kompetenca të mëdha merr Flamur Noka, i cili do të jetë drejtuesi i fushatës dhe njëkohësisht “mbajtës i vulës” së PD-së, ndërsa Gazmend Bardhi dhe “grupimi i tij” bëhen “drejtues lokal”.
Drejtuesit e Partisë Demokratike kanë si qëllim që në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të bëhen bashkë, duke kërkuar që intelektualët dhe ndjekësit e Bashës, por edhe nga shoqëria civile të bashkohen nën ombrellën e Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha. Kryetari i PD-së iu është drejtuar anëtarëve të Kryesisë përmes një lidhje në Skype, ku pasi bëri një rezyme të sfidave që PD ka kaluar në vitet e fundit dhe vlerësoi faktin që palët janë bashkuar, kërkoi të afrohet kushdo që deri më parë ishte pas Bashës. Por mjaft interesante është ndarja e detyrave në PD dhe veçanërisht roli i drejtuesve të PD-së që do të kenë në fushatën elektorale. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Nuoka, një nga idhtarët e mëdhenj të kryedemokratit Berisha merr rol kryesor. atij i është besuar vula nga Berisha, ndërsa nuk kanë mbetur jasht as Bardhi me të tijët, që gjithsesi do jenë drejtues politik në qarqe. “Mblidhemi në një moment vendimtar të historisë së PD. Mblidhemi në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë, por sot ajo është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht se parashikimet ose përpjekjet e hapëta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej. Të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të s’postohej aksi i programit të saj.”, tha Berisha. Një nga porositë kryesore të ish-kryeministrit për të vetët ishte që të sqarohen mbështetësit demokratë dhe qytetarët se Kodi i Ri zgjedhor që u votua me shumicë votash në Kuvend nuk lidhet me problematikat e mëdha të zgjedhjeve që PD ka denoncuar ndër vite. “Kemi hyrë në një vit elektoral. Kjo që duht të zgjidhim ne, ky problem madhor u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje. Nga 35 dosje me rreth 1 milion faqe që kanë ardhur nga vendet partnere vetëm 4 prej tyre janë shqyrtuar. Po edhe këto 4 kanë mbi 50% të të gjitha bisedave, krimeve në rrafsh elektoral. Ne jemi në vit elektoral dhe hyjmë në një kohë kur asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODHIR nuk është pranuar të shqyrtohet nga Edi Rama. Ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtar dhe anëtare e qytetar tonin se ajo që votuam në Parlament nuk ka asnjë lidhje me problematikat e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve.”, tha ai.
Bashkimi i demokratëve
Kryetari i PD-së, ia ka dorëzuar vulën Flamur Nokës, që me firmën e tij po i drejton punët e partisë, që së fundmi duket se po i ndezë motorët për fushatën e pranverës. Por para se të dalë në terren, Flamur Noka kërkon që të afrojë në PD-së ata që shkuan tek Basha, kur ai mbante logon dhe vulën e PD. Përmes një udhëzimi të shpërndarë për krerët e degëve në rrethe përmes sekretarit Flamur Noka, bëhet thirrje që strukturat të hapen për të gjithë opozitarët, sidomos për ata që më herët kanë qenë pjesë e “strukturave paralele”, të drejtuara nga Basha. Detyrën për ta bërë bashkimin e kanë kryetarët e degëve, sipas këtij udhëizmi, dhe Drejtuesve Politikë demokrat. Madje Noka i ka mikluar për tu kthyer në parti dhe të mbajnë pozicionet që kanë pasur. Bashkimi në një front, sipas Nokës, është qëllimi kryesor përballë Edi Ramës. “Institucionet dhe forumet drejtuese të Partisë Demokratike, veçanërisht strukturat e saj në qendër dhe në bazë, kanë përgjegjësinë e madhe të bashkimit në një front të vetëm opozitar, të çdo anëtari apo ish-anëtari të Partisë Demokratike, të çdo opozitari dhe kontributori në kauzën opozitare, të çdo fluksi dhe rrymë antiregjim, me synim të vetëm fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”, shkruan Noka. Tani që Partia Demokratike e Sali Berishës ka marrë edhe Flamurin dhe Simbolet e partisë, Noka ju kërkon që kthehen edhe pse kanë një mendim ndryshe. “Tashmë në situatën pas kthimit të Flamurit dhe Simboleve të Partisë Demokratike në shtëpinë e përbashkët të demokratëve, nuk ka më asnjë pengesë që demokratët e angazhuar politikisht deri dje në struktura paralele, pavarësisht diferencës së opinioneve apo qëndrimeve për çështje të brendshme të familjes sonë demokrate, të inkorporohen në strukturat ekzistuese të degëve tona”, shkruhet mes të tjerash në udhëzim. Flamur Noka ka këkrkuar që të gjithë demokratët të japin kontributin e tyre për të arritur në një fitore. “Drejtuesit politikë dhe strukturat drejtuese të degëve të Partisë Demokratike marrin të gjitha masat organizative për të mundësuar një front sa më të gjerë opozitar. Demokratët duhet të kenë parasysh se në thelb të këtij bashkimi qëndron kontributi i të gjithëve, pa asnjë dallim, si kusht thelbësor për fitoren tonë të ardhshme”, shkruan Noka. Po ashtu Flamur Noka, Sekretari i Përgjitshëm në Partinë Demokratike ju ka kërkuar anëtarëve të saj që të afrojnë njerëz që kanë reputacion dhe kontribut në shoqëri për të qenë pjesë e Partisë Demokratike. “Përveç organizimit strukturor në çdo qelizë të saj, strukturat drejtuese të çdo dege të identifikojnë çdo faktor publik opozitar, të cilët edhe pse nuk janë pjesë e strukturave ekzistuese të degës, me rolin dhe kontributin e tyre shoqëror dhe politik, janë vlerë e shtuar e Partisë Demokratike. Për këtë arsye, strukturat drejtuese identifikojnë, kontaktojnë dhe bëjnë çdo përpjekje për të afruar pas tyre çdo individ me reputacion publik dhe kontribut shoqëror, që me veprimtarinë e tij/saj ka dhënë prova të angazhimit qytetar opozitar”, shkruan Noka. Javët do të tregojnë se sa sukes do të arrijë ky udhëzim, ndërsa Lulzim Basha edhe vetëm vetëm një deputet, vijon të mbaj zyrat dhe të flas për përfshirjë në zgjedhjet e 2025, si i ndarë nga Berisha. Apo njëkohësisht Enkelejt Alibaj më një grup që para qershorit mbështeste Bashën, tashmë po përpiqet të krijojë një forcë të re politike, duke mbledhur zërat anti-Berisha.