11 viktima dhe nëntë të zhdukur. Ky është bilanci tragjik i përmbytjeve në Marokun jugor. Lajmi është konfirmuar nga vetë Ministria e Brendshme marokene për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.
Një prej personave që ka humbur jetën nuk është me nënshtetësi marokene, por nuk jepen detaje rreth identitetit të tij.
17 prefektura dhe provinca në jug të Marokut u goditën nga stuhi të forta, duke shkaktuar përmbytje. Shtatë persona humbën jetën në provincën e Tata-s dhe dy në provincën e Errachidias.
Autoritetet marokene sqaruan se bëhet fjalë për një fenomen moti “të jashtëzakonshëm” në zonë. “Sasia e shiut e matur në dy ditë është e barabartë me sasinë që bie normalisht në rajon gjatë një viti të tërë”, tha një zëdhënës i qeverisë së Marokut.
Në provincën Ouarzazate, në tri orë ranë 47 milimetra shi. Në Tagounite, pranë kufirit algjerian, kanë rënë 170 milimetra, sipas shërbimit meteorologjik maroken.
Përmbytjet shkatërruan 40 shtëpi dhe dëmtuan 93 rrugë. Uji i pijshëm, energjia elektrike dhe rrjetet telefonike janë dëmtuar rëndë.
Gjatë ditëve të fundit, reshjet e dendura të shiut kanë goditur zonat normalisht të thata të Marokut jugor dhe Algjerisë, duke shkaktuar përmbytje.
Reshjet e pazakonta ndodhën për shkak të “masave ajrore jashtëzakonisht të paqëndrueshme tropikale”, tha kreu i institutit meteorologjik të Marokut për “AFP”-në./e.t