Agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë ka paralajmëruar për një grupi kibernetik që i përket inteligjencës ushtarake ruse (GRU), i njohur si njësia 29155, duke thënë se ka kryer sulme kibernetike kundër NATO-s dhe vendeve të BE-së, raporton Reuters.
Në një postim në platformën X, agjencia ka shkruar se është duke lëshuar një paralajmërim kundër grupit të njohur si UNC2589 së bashku me Byronë Federale të Hetimeve (FBI), agjencinë amerikane të sigurisë kibernetike CISA, NSA-në dhe partnerë të tjerë. Paralajmërimi vjen në kohën kur në Evropë janë rritur shqetësimet si shkak i hakerëve dhe spiunëve rusë, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Më herët këtë vit, Berlini ka akuzuar Rusinë për një valë të sulmeve kibernetike në partinë e socialë-demokratëve, si dhe kompani të logjistikës, mbrojtjes, forcave ajrore dhe sektorëve të IT-së.
Në paralajmërimin e saj, agjencia e inteligjencës tha se grupi, i njohur gjithashtu si Cadet Blizzard ose Ember Bear, kryen aktivitete për qëllime spiunazhi dhe sabotimi që shpesh përfshijnë prishjen e faqeve të internetit dhe publikimin e të dhënave të vjedhura. S.B