Kryeministri Edi Rama: Platforma nuk është një instrument që për herë të parë ne e kemi vendosur në qendër të një procesi që ndryshe nga hera e parë, fillon thuajse një vit para zgjedhjeve dhe afro 9 muaj përpara se të regjistrohen kandidatët që do të jenë pjesë e skuadrës përfaqësuese të PS.
Ju jeni grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, por që do të zgjerohet me aplikantë të tjerë, të cilët duke filluar nga ju, nuk duhet të presë që mbasi u bë aplikimi, të ndodhi përzgjedhja.
Avantazhi i atyre që vijnë më parë është vetëm koha që kanë në dispozicion për të treguar se janë një vlerë e shtuar në skuadrën tonë. Vlerë të shtuar nuk të bën mosha më e re, as fakti që ke dëshirë apo as fakti që mund të flasësh bukur apo mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka PS, nuk të bën as lidhja apo nyejt që mund të kesh me PS. Të gjitha këto janë krejtësisht të pamjaftueshme.
Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demonstrosh, duke treguar se je kandidat që i duhesh skuadrës së PS, duhet ta demonstrosh këtë përditë.
Po përgatit dhe një udhërrëfyes me sugjerime, që ju do t’i ndiqni sipas dëshirës. Askush nuk do t’u vijë pas për të kërkuar llogari, për t’ju mësuar, do ju ndjekim në distancë për të parë sesi promovoni kandidaturën tuaj duke fuqizuar personin tuaj publik që sot është i panjohur, dhe që nesër kur të vijnë zgjedhjet të jetë i njohur në komunitetin e tij, në një rreth të caktuar profesionistësh, i njohur në rrjete sociale për një grup të caktuar njerëzish dhe një individ që ka provat se pas tij ka zgjedhës që do zgjedhin ta mbështesin. Kjo platformë është për të gjithë ata që përndryshe nuk u vjen radha./kb