Lideri i demokratëve ka mbledhur pasditen e së dielës drejtuesit e rinj politikë të Partisë Demokratike në qarqe. Në këtë takim të parë që nga mbledhja e Kryesisë, Sali Berisha u tha 12 drejtuesve të rinj të PD-së se misioni që kanë marrë është më i rëndësishmi i jetës së tyre. Kryedemokrati tha se detyra e tyre kryesore është “inicimi sa më parë i një revolte popullore për arritjen e një qeverie teknike, për zgjedhje të lira e të ndershme.”
Kryedemokrati Sali Berisha gjatë një fjalimi për drejtuesit politikë të PD, thotë se të qënit në krye të qarqeve si përfaqësues politik të demokratëve, është misioni më i rëndësishëm i jetës suaj. Sipas Berishës, me rëndësi është që shqiptarëve t’u jepet garanci, se vota e tyre s’do varroset pa hyrë në kuti.Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi misioni i drejtuesve të qarqeve, kësaj here nuk është si misionet e tjera. Kjo pasi, sipas Berishës, kërkon që ne t’i dalim Zot dhe të garantojmë qytetarët shqiptarë se vota e tyre nuk do mund të ekzektuohet dhe se ajo nuk do të shndërrohet në krim, e më pastaj krimi në votë. “Ju jeni politikanë me përvojë, jeni politikanë me formim politik. Keni kryer dhe përmbushur gjatë karrierës politike me sukses një detyrë shumë të rëndësishme. Por theksoj që në fillim se misioni që keni marrë përsipër është më i rëndësishmi i jetës suaj, sepse suksesi i këtij misioni është vendimtar për rikthimin e Shqipërisë në normalitet, për rivendosjen e demokracisë në Shqipëri, për rivendosjen e shtetit ligjor, respektimin e plotë të lirive dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Por dhe rikthimin e Shqipërisë dhe dhqiptarëve në rrugën e prosperitetit, në rrugën e një mirëqënie të rritur, dhe po kështu në rrugën e vokacionit perëndimor të kombit,rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Berisha. Ky mision, sipas Berishës, është më i rëndësishmi që kanë përmbushur në të gjithë karrierën e tyre. “Unë e di e di që ju keni drejtuar fushata elektorale, personale, por edhe kolektive, keni përmbushur detyra të rëndësishme, por kësaj here detyrë e të gjitha detyrave është inicimi sa më parë i një revolte të përgjithshme popullore, me qëllimin më kryesor për qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, ky mision nuk është kësaj here si misionet e tjera. Ky mision kërkon që ne t’i dalim Zot dhe të garantojmë qytetarët shqiptarë se vota e tyre nuk do mund të ekzekturohet, nuk do mund të varroset pa hyrë në kuti, dhe se ajo nuk do të shndërrohet në krim, dhe krimi në votë”, tha Berisha. Ai ju ka kërkuar që të jenë organizatorë të shkëlqyer. “Kërkon që ju me ekipin lokal të riorganizoni PD. Anëtarësia e saj ka nevojë jetike, vendimtare për jë organizim solid. Shpesh dhe rëndomë shtrohet çështja: njerëzit janë të gatshëm, njerëzit nuk janë të gatshëm. E para, ju vetë duhet të jeni të gatshëm, dhe për të qenë ju të gatshëm, duhet të organizoni demokratët. Ata aty janë, ata presin t’i organizojnë. Përveç organizimit, detyra juaj është t’i frymëzoni. Në qoftë se organizojmë, në qoftë se ne i frymëzojmë, unë ju garantoj ju se forcë në botë që të pengojë realizimin e qëllimeve tona objektive nuk ka dhe nuk mund të ketë. Ka patur dhe ka një debat, po protesta dhe fushata? Jo, ne i japim përparësi absolute protestës. Ne nuk pranojmë të ecim symbylltas drejt grabitjes dhe drejt funeralit të votës së lirë pa u hedhur në kuti, theksoi Berisha”, tha Berisha.