Ish kryeministri Sali Berisha ka lënë banesën e tij dhe i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku do të njihet me akuzat për korrupsion.
Berisha është thirrur në SPAK në orën 12:00, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ish-kryeministri do të paraqitet fizikisht në prokurori bashkë me avokatët e tij mbrojtës, por në të njëjtën kohë ka njoftuar se pranë godinës së SPAK do të ketë edhe mbështetës dhe militantë të Partisë Demokratike.
Berisha, në arrest shtëpie prej dhjetorit 2023, është hetuar për korrupsion pasiv pasi ka dyshime se ai në cilësinë e kryeministrit ka nxjerrë akte nënligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshti me ligjin. Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash./kb