Në muajin tetor, pensionistët shqiptarë do të përfitojnë një rritje të re të pensioneve, një masë që është shpallur nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar standardin e jetesës së këtij segmenti të rëndësishëm të popullsisë.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj gjatë një interviste për “SCAN TV” ka ofruar detaje të rëndësishme mbi këtë rritje, duke shpjeguar se si ndikon në xhepat e pensionistëve dhe cilat janë kategoritë që do të përfitojnë më shumë.
Në këtë intervistë, ajo tregon shifrat e sakta të rritjes dhe ndërkohë zbardh se cilat grupe të pensionistëve do të shohin ndryshime më të mëdha në të ardhurat e tyre.
-Indeksimi i pensioneve, sikurse deklaroi dhe kryeministri Edi Rama, nuk kemi ende një VKM por që diskutohet se mund të varioj nga 4-5%.
Si e cilësoni një vendim i tillë dhe si pritet të ndikojë në xhepat e familjeve sepse për një pension, nëse marrim 20.000 lekë mesatarisht, rritja do të jetë 800-1000 lekë
Në dy vitet e fundit, rritja e pensioneve ose indeksimi është bërë gjithmonë mbi bazë të normës së inflacionit, kryesisht të produkteve të shportës të pensionistëve. Është më e lartë se inflacioni pasi çmimet e produkteve ushqimore të inflacionit janë më të larta dhe rritja e këtyre çmimeve ka qenë më e lartë se ushqimet e tjera.
Dhe pse ne kemi një inflacion mesatar, nën masën e 2%, nën normën ose objektivin e Bankës Qëndrore, sërish çmimet e shportës kanë qenë në një vlerë më të lartë, Ndaj kjo ka qenë një ndër arsyet, është një lloj presioni që i është bërë qeverisë për ta marrë në konsideratë këtë faktor, për arsyen bazë se gjysmën e të ardhura, pensionistët e shpenzojnë pikërisht për produkte ushqimore, ku familjet shqiptare i kanë në një nivel mbi 44%.
Duke marrë këtë pikë analize mund të themi se këto pensione mund të indeksohen në këtë përqindje por ende nuk e kemi të paracaktuar.
-A ka peshë kjo për ndikimin në buxhet?
Ndikimi në buxhetin familjar është 0. Efekti është 0 për një arsye shumë themeltare, ne bëjmë indeksim që të ruajmë fuqinë blerëse. Nëse një pension është 20000 lekë dhe një pension blen 5 njësi mallë, kur rritet çmimi, d.t.th se me këtë 20000 lekë ai do të blejë 4.5 njësi mallë.
Indeksi dhe pse në vlerë nominale kemi një rritje, nga 20 do të bëhet 21000, sërish në këtë rast në fushën blerëse nuk do të kemi asnjë rritje. Indeksohet pensioni në mënyrë që qytetari pensionist të ruaj fuqinë blerëse të tij, të njëjtën sasi produktesh.
-Në buxhetin e shtetit, pritet që të ketë efekt domethënës kjo rritje, pra a përballohet?
Gjykoj se po. Nëse do të analizojmë sesi shpërndahen të ardhurat publike, në analizën e parë themi se sërish do të krijojmë një ngarkesë buxheti pasi ne e dimë se të ardhurat publike nuk i mbulojnë të gjithë zërat e shpenzimeve publike e si e tillë çdo vit marrim një borxh duke shlyer borxhin e vjetër e marrim një të ri dhe me rradhë.
Kjo vjen për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit të cilën e dëmtojnë të ardhurën publike dhe njëkohësisht i niveleve të larta të dëmit ekonomik që i shkakton buxhetit dhe taksapaguesve shqiptarë.
-Mos kemi lënë pas elementin e mos deklarimit të një punonjësi apo është ende si fenomen?
Gjykoj se jo dhe kjo është një nga dëmet më të mëdha që i ka shkaktuar edhe tranzicioni pasi nëse në fillimet e para dhe vetë qytetarët duke mos patur këtë njohuri ishin të painformuar se çfarë ndodh nëse nuk paguan sigurime shoqërore e kur të vij mosha dhe koha e pensionit të mos kem një pension e kjo vjen për mungesë dije më tepër, na ka detyruar që ne të jemi në këtë gjendje.
Ne kemi filluar për pesë vitet e fundit që të kemi një rritje gjithmonë e më të vazhdueshme të pensioneve të pjesshme, si pasojë e faktit që e para që kanë paguar për më pak vite kontributive, pra nuk kanë realizuar më pak se 40 vite kontributive dhe e dyta ka paguar pensione me pagë minimale.
Dhe ne dy dekadat e ardhshme, kanë punuar në informalitet në tranzicioni ose i kanë të gjithë vitet e punës dhe do ta ndjejmë se numri i pensioneve të pjesshme, do të jetë më i lartë se numri i pensioneve të plota.
E kjo do të jetë ajo kambana që po i lëviz institucionet, që po i detyron në një farë mënyre që të rishikojnë skemën e pensioneve.
-Reforma e re e pensioneve a duhet marrë parasysh numri demografik, pasi numri i pensionistëve po rritet e nga ana tjetër numri kontribuuesve po zvogëlohet?
Absolutisht që po, po bie pjesa e parashikimit dhe kur ndërmerr reforma të tilla që lidhen me pensionet, gjithmonë bëhet një parashikim se sa është numri i individëve se sa do të dali pas një viti, pas dy vitesh e pas pesë vitesh.
Në rastin konkret ajo çfarë parashikohet thuhet se numri është shumë më afër se numri i pensionistëve, mjafton të shohim grup moshat e popullatës që jeton në Shqipëri dhe shumë më e vështirë që të parashikojmë numrin e kontribuuesve.
Këto flukse të mëdhaja të emigrantëve që janë larguar në vende të tjera, e kanë tkurrur më shumë dhe e kanë bërë më të ndjeshme numrin e kontribuuesve dhe e kanë zvogëluar raportin që ne gjithmonë e analizojmë, 1 pensionist për 1.7, 1.8, 1.17 e po shkon në nivelet thuajse 1 me 1.
Por duhet të kemi diçka në konsideratë që kur këtu kemi të bëjmë me raporte që janë në raporte mesatare kontribuesish dhe pensionistësh, se ne do i ndajmë në pensionist në zona rurale dhe ato në zona urbane, raporti është shumë ndryshe. Pasi, në rastin e zonave rurale, ne kemi numrin e kontribuuesve më pak se numrin e pensioneve.
Duke rritur formalizimin, qoftë në formë të plotë apo të pjesshme, të deklarohet paga, automatikisht jo vetëm që do të rriten të ardhurat në skemën e pensioneve e do të kesh mundësi që të japësh një ndihmesë plus për pensionistët, pra buxhetin që do jepte si subvencion për skemën e pensionit, mund ta jap për ta rritur pensionin si një pension të trembëdhjetë.
-Shtylla e dytë, pensioni privat i detyrueshëm është në nivelet shumë të ulta, rreth 5 % të kontribuuesve në gjashtë muajt e fundit, si e shihni këtë shifër?
Së pari, ne jemi mësuar që t’i bëjmë gjërat me detyrim e dyta është fakti i dijes, mungesa e informacionit dhe e treta është mungesa e besimit në institucione publike. Në momentin kur falimenton kompania, e cila është biznes mjaft fitimprurës, në këtë rast shteti duhet të jetë një stimul ndihme.
Shpresoj që pas reformës në pensione, shteti të mendoj dhe për pensionet private të detyrueshme pasi nëse nuk e sheh tani përfitimet ku pensionistët marrin një pension 20000 lekë, pas 10 apo 20 vite, shteti nuk do e ketë më nevojë të investojë në pensione në formë bonusi pasi 20000 lekë që i merr tani pensionisti dhe 10000 leke nga pensioni privat i detyrueshëm, do të jetë një ndihmë e madhe për buxhetin e shtetit. Këtë gjë e kam rekomanduar prej vitesh.
-Problemi i mosfunksionimit të skemës së pensioneve mos lidhet përveç kulturës financiare të munguar nga një pjesë të shqiptarëve por edhe zhvillimin shumë të dobët të tregut financiar në vendin tonë që mund të çoj edhe në probleme sociale?
Nëse do të flasim për një treg financiar në Shqipëri, e para shqiptarët investojnë në një treg të sigurtë dhe e dyta, duan që fitimi t’ju kthehet shumë shpejtë në biznes.
E njëjta logjikë është dhe në rastin kur shqiptarët blejnë një pronë dhe thonë më mirë e jap me qira pasi ato para janë investim por kjo ndodh për rastin e tregut të pensioneve te ne është mungesa e dijes dhe e besimit e informacionit për pensionet plotësuese, për pensionet private por ne mund të paguajmë dhe një sigurim për jetën dhe qytetarët shqiptar nuk janë të detyruar ta bëjnë siguracionin në kompani shqiptare por mund të bëjnë dhe në kompani të huaja, kjo është mungesë e kulturës sonë të sigurojmë jetën, vetën nga një aksident, banesën, etj.
Por te brezat e rinj kanë ndryshuar gjërat e kjo ka bërë një ndryshim. Por në rastin e pensioneve është fakti se lidhet drejtpërdrejtë me formalitetin dhe në pensionet private lidhet me mungesën e besimit dhe të kulturës së informacionit./ S.M