Autoriteti Rrugor Shqiptar paralajmëron shoferët në Shkodër dhe Lezhë që të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes me makinë nesër, për shkak të reshjeve intensive që parashikohen në këtë pjesë të territorit nesër.
ARRSH thotë se nesërme pritet të ketë reshje të dendura shiu në të gjithë vendin, ku me dendësi të lartë do të jenë në zonën veriore si në Shkodër dhe Lezhë.
Drejtuesit duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, të ruajnë distancën e duhur dhe të kontrollojnë fshirëset e xhamave.
Gjithashtu, prej tyre kërkohet që të shmangin frenimin e menjëhershëm dhe të papritur, si dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugorë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se grupet e punës së mirëmbajtjes janë në gatishmëri dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në terren për lehtësimin e qarkullimit rrugor.
Edhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak raporton se ditën e premte vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë kryesisht i vranët.
Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët deri mesatar, në veriperëndim reshjet e shiut lokalisht pritet të jenë me intensitet deri të lartë.
Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezente të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit. Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe rrebesheve afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Era parashikohet të jetë nga juglindja me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe momentin e zhvillimit të vranësirave fiton shpejtësi deri në 20m/sek. Deti i forcës 3-4 ballë./ S.M