Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e shoferit të ish-drejtorit të policisë Ardi Veliut dhe familjarë të tij, që akuzohen për grup kriminal, kontrabandë mallrash, mos deklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare.
GJKKO pranoi kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar ku në rast dënimi do të përfitonin zbritjen me 1/3 e dënimit.
Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij Elda Idrizaj u vunë nën akuzë nga SPAK. Në kuadër të këtij procedimi në total u arrestuan 12 persona.
Këta shtetas dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashari që ka dyqanin qendror në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga. S.B