Derbi i prefekturës së Elbasanit midis Turbinës së Cërrikut dhe Shkumbinit të Peqinit që u zhvillua pasditen e kësaj të Diele në stadiumin “Nexhip Trungu” pati edhe një episod të pazakontë. Në minutën e 25 kjo ndeshje u ndërpre pasi autoambulanca e planifikuar për të qenë e gatshme në pistën e stadiumit ku po zhvillohej ndeshja e javës së tretë e kategorisë së Dytë e vlefshme për Grupin B midis Turbinës e Shkumbinit u largua pa njoftuar autoritetet që merreshin me monitorimin dhe zbatimin e masave të mbarëvajtjes së sfidës sportive.
Në këto kushte Delegati i FSHF ,Krenar Alimehmeti i ka kërkuar gjyqtarit kryesor të ndeshjes ndërprerjen e saj. Ndërkaq është mësuar se shkak i largimit nga stadiumi i autoambulancës ka qenë një rast urgjence në lagjen pranë “Nexhip Trungut”.
Ndeshja ka rifilluar pas 20 minutash kur dy autoambulanca të tjera mbërritën në pistën e stadiumit.Rasti në fjalë ka nxjerrë në pah edhe njëherë problematikën që ekziston në ndeshjet e futbollit në kampionatin shqiptar ku çështja e gadishmërisë së shërbimit të autoambulancës dhe personelit mjekësor me aparaturat e nevojshme mban në ankth organizatorët e aktiviteteve futbollistike.
Ndërkaq ndeshja që rifilloi pas ndërprerjes së detyrueshme midis Turbinës dhe Shkumbinit u mbyll me fitoren 2-3 të peqinasve me gola të shënuar nga 17′ Mesia, 45+28 Ismailaj – 10′ Nexha, 13′ Sulkja, 45+25′ . K.B