Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi tha sot se ndihet e keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës.
Në një reagim pas cenimit fizik të saj nga deputeti i përjashtuar i opozitës, Xhelal Mziu, Ekonomi tha se “axhenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi. Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese”.
“Personalisht, ndjej detyrim të reagoj jo vetëm pse isha pjesë e kësaj situate konfrontuese, por edhe si deputete që ka zgjedhur të ushtrojë mandatin e deputetes konform rregullave dhe obligimit që kemi ndaj zgjedhësve tanë.
Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer arsyes dhe normalitetit dhe shpresoj që deputetët e opozitës të kuptojnë që kjo formë e të bërit opozitë duhet të marrë fund njëherë e mirë në Shqipëri, ku problemet individuale tentohen të kthehen në kriza institucionale që pengojnë Shqipërinë në aspiratat integruese në Bashkimin Europian”, tha Ekonomi.
Gjatë punimeve të Komisionit Hetimor të Sterilizimit dhe Check Up deputeti demokrat Xhelal Mziu ka shtyrë ligjvënësen socialiste, Milva Ekonomi. S.B