Shqipëria ka njoftuar se do të emetojë një tjetër eurobond në vitin 2025, me një vlerë prej 600 milionë eurosh. Ministria e Financave ka filluar procedurat për të angazhuar një firmë ligjore të specializuar, e cila do të ofrojë konsulencë ligjore për këtë emetim. Kjo firmë duhet të ketë ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë.
Ky eurobond do të jetë i shtati për Shqipërinë, e cila ka shfrytëzuar këtë formë financimi për të mbështetur projekte të ndryshme zhvillimore dhe për të përmirësuar bilancin e saj financiar. Emetimi i eurobondit do t’i mundësojë Shqipërisë të sigurojë financa në tregjet ndërkombëtare dhe të diversifikojë burimet e saj të financimit, shkruan A2 CNN.
Kjo nismë vjen në një kohë kur vendi përballet me sfida të ndryshme ekonomike dhe kërkon të rrisë investimet për të nxitur zhvillimin ekonomik./E.T