Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Marsida Xhaferllari nga shqyrtimi i ankimit të tij kundër masës së sigurisë “detyrim paraqitje.” Berisha pretendoi se Xhaferllari ishte në një marrëdhënie bashkëjetese me Enkelejd Alibeajn, duke pohuar se kjo do të përbënte konflikt interesi në shqyrtimin e çështjes.
Ish-kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ishte i vetmi deputet i opozitës që mbështeti heqjen e mandatit të deputetit për Sali Berishën kur kërkesa u paraqit nga SPAK. Sipas avokatëve të Berishës, Alibeaj gjithashtu ankimoi vendimin për vulën e partisë, duke e kundërshtuar Berishën si kreun e PD-së, çka sipas tyre shton dyshimet për një konflikt interesi.
Vendimi për rrëzimin e kërkesës së Berishës u mor me shumicë votash nga trupa prej 7 gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese, të cilët e vlerësuan si të pabazuar në prova kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Xhaferllari. Si pasojë, gjyqtarja Xhaferllari do të vazhdojë të jetë pjesë e trupit gjykues në shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Seanca për ankimimin e Berishës është caktuar për t’u mbajtur më 19 nëntor. Ish-kryeministri e ka çuar në Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i cili e vendosi atë nën masën “detyrim paraqitje” në përputhje me kërkesën e SPAK dhe me ndalimin për të dalë jashtë shtetit.
Berisha nuk e zbatoi këtë masë dhe refuzoi paraqitjen pranë oficerëve të policisë gjyqësore, pas së cilës GJKKO i caktoi masën e “arrestit shtëpiak,” në të cilën ai vijon të mbetet.