Kryeministri Edi Rama, ish- presidenti Ilir Meta, ish- kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti aktual Bajram Begaj kanë përshëndetur fitoren e Trump, duke shprehur shpresën për përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, liderët shqiptarë kanë shprehur urimet e tyre për presidentin e 47-të të SHBA-ve, duke nënvizuar shpresën për një bashkëpunim të ngushtë dhe për një forcim të partneritetit me Amerikën.
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur Donald Trump për fitoren e tij në një mesazh në rrjetin social X, ku shkruan se ndjehet i privilegjuar që ka pasur mundësinë të punojë me Joe Biden dhe se pret të punojë me Trump për të forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
“Urime Donald Trump për këtë fitore të jashtëzakonshme”, shkroi Rama. “Ishte një nder të punoja me Presidentin e 46-të, Joe Biden, për të forcuar marrëdhëniet tona dypalëshe. Pres me padurim të punoj me Presidentin Trump për një partneritet të fuqishëm që do të garantojë paqe dhe përparim për dy vendet tona”.
Ilir Meta
Ndërkohë, ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga burgu ka uruar gjithashtu presidentin e ri, duke e quajtur rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë si një triumf të merituar për vlerat demokratike.
Në një postim në Facebook, Meta ka shkruar se “nën lidershipin e Trump, SHBA-të do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje për popullin shqiptar”. Ai shprehu besimin se partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-së do të vazhdojë të forcohet në fushën e sigurisë dhe NATO-s.
Bajram Begaj
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi gjithashtu Donald Trump për fitoren, duke theksuar se “Shqipëria vlerëson miqësinë e gjatë dhe partneritetin strategjik” me SHBA-të. Në një mesazh në platformën X, Begaj shprehu dëshirën për një bashkëpunim më të afërt dhe për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy vendeve.
Sali Berisha
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e përshëndeti fitoren e Trump me fjalët “Donald Trump triumfoi!” Në një postim në Facebook, Berisha e cilësoi rikthimin e Trump si një fitore të demokracisë dhe vlerave themelore që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën.
Berisha gjithashtu theksoi se kjo fitore është një mesazh i fortë kundër mafies globale, duke e vlerësuar mbështetjen e qytetarëve amerikanë për Trump si një akt shpëtimi për vendin e tyre dhe për demokracinë në mbarë botën.
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të Presidentit Trump dhe besoj se marrëdhëniet tona tradicionale do të njohin zhvillime të shkëlqyera,” tha Berisha në përfundim.
Fitorja e Trump në SHBA ka shkaktuar valë të reja diskutimesh dhe shprese në Shqipëri për një bashkëpunim më të ngushtë dhe më të fuqishëm midis dy vendeve, ndërkohë që liderët kryesorë shqiptarë kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit dhe pritshmëritë për të ardhmen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.