Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa ka vendosur të anulojë ndalesën e turit të saj në Indonezi për shkaqe sigurie.
Ylli 29-vjeçar i popit do të performonte në Xhakartë, por e anuloi spektaklin disa orë para shfaqjes për shkak të shqetësimeve të sigurisë në “Indonezia Arena”, e cila mund të strehojë 16,500 njerëz.
“Me pikëllim them se nuk do të mund të performoj në Xhakartë. Unë jam këtu në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe gati për të performuar, por jam e shokuar të them se është përcaktuar se nuk është e sigurt të vazhdohet shfaqja për shkak të shqetësimeve të sigurisë. E kam pritur me padurim këtë mbrëmje dhe më dhemb vërtet që nuk mund të performojmë për të gjithë ju, veçanërisht pas kaq shumë kohësh që nga performanca ime e fundit në Xhakarta,” shkruan Dua në rrjetet sociale.
Mediat ende nuk e bëjnë të qartë se cili është kërcënimi që detyroi autoritetet të anulojnë këtë shfaqje./e.t