Nga Dashnor Kaloçi
Raif Elezi, pinjoll i një prej familjeve më të mëdha dhe me të kaluar patriotike të rrethit të Kukësit, e cila ndër vite ka nxjerrë burra të shquar të pushkës dhe intelektualë të spikatur që kanë punuar dhe luftuar në dobi të çështjes shqiptare, si rrallë familje tjetër në atë zonë në veri-lindje të vendit, foli shumë pak për jetën e tij dhe kalvarin e vuajtjeve gjatë komunizmit. Nuk preferoi të mburrej dhe as të zinte podiumet e shoqatave të ish-të persekutuarve. Nuk e ngriti zërin, edhe pse kishte më shumë të drejtë se shumë të tjerë për të kërkuar të drejtat e tij. Madje nuk foli, edhe kur “harruan” t’i jepnin dëmshpërblimin për vitet e vuajtjeve, teksa e meritonte më shumë se shumë të tjerë. Jeta e tij, burgu, vuajtjet dhe rezistenca ndaj komunizmit, vlenin më shumë se çdo dekoratë, apo lavde. Është vështirë të përmbledhësh jetën e një njeriu me pak fjalë.
Nëse duhet të flasim për Raif Elezin, nuk mund të harrohet se ai është një nga personat e rrallë, që u dënua nga regjimi komunist i para viteve ’90-të, i akuzuar për kryengritje të armatosur ndaj komunizmit, madje që kishte edhe një plan konkret, se si mund të shpëtohej vendi nga komunizmi. Një mjek radiolog me profesion, që kuptoi se komunizmi ishte një e keqe, që nuk mund të largohej vetë. Është personazhi që ideoi organizimin e një kryengritjeje të armatosur dhe përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor.
Nuk përfitoi asgjë nga dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit politik, për shkak të klasifikimit absurd të ligjit, për figurën e dënimit; “terrorizëm”. Siç theksuam pak më sipër, Raif Elezi nuk foli kurrë për vete, dhe intervista që botojmë më poshtë në këtë shkrim, është realizuar pak kohë para se ai të ndahej nga jeta dhe mbetet dëshmia e tij e vetme, për jetën, familjen, arrestimin, hetuesinë, torturat dhe dënimin e vuajtjet e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia.
Zoti Raif, cila është origjina e familjes suaj?
Origjina e familjes sonë është nga Kukësi dhe jemi vendosur aty që në kohën kur është ndërtuar ai qytet. Ne rrjedhim nga një familje e madhe patriarkale dhe me tradita patriotike, e njohur dhe me influence, jo vetëm në atë zonë, por në të gjithë Veriun e vendit. Disa nga burrat më të njohur të Shqipërisë, personalitete të larta, si; Abdyl Frashëri, apo më pas Bajram Curri, Hasan Prishtina etj., e kanë pasur si qendër shtëpinë tonë. Ata kanë ardhur disa herë aty, kryesisht në vitin 1911, kur përgatitej kryengritja e armatosur, e cila çoi në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e 1912-ës. Në familjen e Elezëve, kryetari i familjes, kryesori ka qenë Bislim Elezi, e me radhë, babagjyshi im, Xhem Elezi, Sul Elezi e të tjerët, se ata kanë qenë shtatë vëllezër. Të gjithë mbeten gjithmonë patriotë të ndershëm dhe që kanë marrë pjesë në çdo betejë lufte, si kundra turqve, ashtu dhe kundra serbo-malazezëve.
Në kohën e Mbretërisë së Zogut, babagjyshi ka qenë deputet, ndërsa Mahmut Xhema (me shkollë të mesme laike), ka shërbyer si hoxhë. Babai ynë, Rexhep Mahmuti, ka mbaruar shkollën në Shkodër, e më vonë, ka bërë një shkollë 4-vjeçare në Lezhë, me disa austriakë. Nga aty, e patën çuar drejtor pyjesh në Elbasan. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai, Rexhep Mahmuti, ka qenë nënprefekt i Kukësit. Xhaxhai, Reshati, ka qenë në Gardën Mbretërore të Zogut dhe para se të mbaronte lufta, diku nga viti 1944, është vrarë nga gjermanët.
Pas mbarimit të luftës, e shpallën dëshmor?
E shpallën dëshmor të atdheut dhe e kanë hequr më vonë, pasi arrestuan babanë, Rexhepin. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, në dhjetor 1944, familja jonë ishte projektuar për t’u goditur. Arsyeja e kësaj goditjeje, ishte fakti se ne ishim një familje intelektualësh dhe patriotësh, të cilën komunistët nuk e donin. Babën Rexhep, e hoqën nga posti i nënprefektit dhe e arrestuan në 1948-ën. Xhaxha Reshatin, që e pati vrarë gjermani dhe emri i tij i ishte vënë një rrugë në Kukës, ia hoqën emrin. Babanë e kanë arrestuar më 22 qershor 1948 dhe arsyeja e arrestimit, ishte se ai nuk ishte dakord me politikën që po ndiqte regjimi komunist në fuqi.
Dalim tani tek ju, si ndodhi arrestimi juaj?
Sigurimi i Shtetit, që më ndiqte prej kohësh, bëri një kombinacion, duke më nisur me shërbim për në Tiranë, gjoja për të marrë një vegël për aparatin e radiologjisë. Kur kam arritur tek Qafa e Malit, më kanë ndalur tre utovetura përpara, në të cilat ndodheshin disa oficerë me armë. Njërin e njihja dhe u kapa fizikisht trup me trup me të, duke u përplasur me njëri-tjetrin. Gjatë përleshjes, ai më tha: “mos lëviz, je i arrestuar në emër të popullit”. Unë iu përgjigja: “Po në emrin e cilit popull po më arrestoni? Ju po më arrestoni në emrin tuaj dhe të politikës suaj”? Ç’është e vërteta, nuk kam qenë me asnjë organizatë shoqërore apo politike të asaj kohe. Në vitin 1953, na kërkuan të gjithë të rinjve të hynim në rini, e unë nuk pranova. Në fakt, flisja kundër regjimit, për ato gjëra që i konsideroja të padrejta.
Për çfarë flisnit konkretisht?
Po disa herë kam thënë: “çfarë bëhet kështu, po këta nuk kanë bukë të hanë”. Dhe ashtu ishte vërtet, pasi njerëzit me ato të ardhura që merrnin në ditë, nuk u dilnin për një paketë cigare e, një shkrepëse. Me një fjalë, ishte varfëri e tejskajshme. Nejse, të kthehemi te arrestimi. Pasi më vunë prangat, më hipën në makinë e më çuan në burgun e Kukësit. Aty ka filluar hetuesia e rëndë, që zgjati plot 19 muaj. Më morën në pyetje, nga të gjitha llojet. Më thanë se kam sharë partinë, se kam dashur të bëj të pakënaqur popullin, etj., etj.
“Jo, – u thosha unë, – kam thënë se populli është i pakënaqur, sepse nuk ka bukë të hajë”. Ata më pyesnin: “Po kush të ka thënë ty kështu”? Unë u përgjigjesha; “Po ata 22 lekë marrin në ditë sa për duhan, po ku hanë këta njerëz”? Unë, meqë flisja që përpara arrestimit, më dërgonin provokatorë në shtëpi, për të parë se çfarë flitej tek unë. Dhe pas arrestimit tim, e kanë internuar të gjithë familjen tonë (të gjithë vëllezërit e martuar me fëmijët e tyre) në Dumre të Elbasanit, ku kanë vuajtur për vite me radhë, në punët më të rënda.
Si ju trajtuan gjatë hetuesisë, e cila siç thatë se zgjati 19 muaj?
Trajtimi ka qenë çnjerëzor. Rrahje në mënyrë barbare po e po, por na kanë lënë dhe të zhytur në ujë, saqë për 22 ditë me radhë, nuk janë tharë rrobat. Hetuesia bëhej ditën dhe gjithë natën. Meqë këta kishin bërë plan të godisnin familjen tonë, më vunë dhe disa akuza të tjera, sikur unë kisha dashur të vrisja disa njerëz. Unë u përgjigjesha se, nuk është e vërtetë, sepse nëse kisha dashur t’i vras, do t’i kisha vrarë e, s’do më kishin ndaluar dot. Hetuesia ime ka vazhduar në Kukës, rreth një vit e pak, e më pas më kanë çuar në Tiranë, për arsyen se më kanë torturuar në mënyrë barbare, pasi nuk pranoja akuzat.
Për çfarë ju akuzonin tjetër?
Gjatë hetuesisë, më thanë se kam dashur ta rrëzoj me dhunë pushtetin popullor dhe unë u jam përgjigjur: “Po, me dhunë kam dashur ta rrëzoj, se pa dhunë nuk merret liria”. Këtë e kisha thënë dhe para arrestimit, me një koleg pune, kur ai më shprehu një mendim e, unë u shpreha hapur, duke i thënë se; “Po të organizohemi me 100 veta të fuqishëm, fillimisht pa dalë drita, sulmojmë Degën e Brendshme, Komitetin e Partisë, Komitetin Ekzekutiv, repartet ushtarake, etj., duke i marrë të gjitha ato nën kontroll. Dhe më pas, me këtë që po ndodh në Kukës, e përhap me anë të Radio-Kukësit, në të gjithë Shqipërinë. Vetëm kështu bëhet rrëzimi i qeverisë, se ndryshe nuk bëhet”.
Mirëpo kjo bisedë doli dhe për këtë punë më arrestuan. Pas meje kanë arrestuar shumë e shumë veta, por jo për punën time, por për të krijuar një grup, se po të ishte grup, dënoheshe më shumë.
Kur dolët ne gjyq dhe ku u zhvillua ai?
Në marsin e vitit 1970, kam dalë në gjyq dhe seanca gjyqësore u zhvillua në kinemanë e Kukësit, e cila ishte e mbushur plot. Gjyqi ishte demonstrativ, pasi të gjithë popullin e kishin nxjerrë në sheshin “Skënderbej” e, në rrugët e qytetit të Kukësit, duke e ndjekur atë me altoparlantë. Në gjyq bashkë me mua në bankën e të akuzuarve, ishin dhe nja 7-8 veta të tjerë.
A kishit lidhje ju me ata persona?
Për të besuar populli akuzat që më bëheshin, kishin gjetur disa njerëz të afërt, që kishin lidhje gjaku me mua. Ndërsa për ata të tjerët, që ishin të akuzuar aty në atë grup, unë e dija se ishin të përpunuar nga Sigurimi i Shtetit, me hir apo me pahir. Unë në sallën e gjyqit, nuk e pranova akuzën. Në akuzë m’u shtua edhe një gjë tjetër, përveç asaj që unë kisha bërë thirrje për kryengritje të armatosur, duke më akuzuar edhe si atentator, ndërsa ajo e agjitacion e propagandës, dihej tashmë.
Përse ju akuzuan si atentator?!
Më akuzonin se kisha dashur të vrisja një sekretar partie, por që unë u thosha, se nuk e mbaja mend. Unë nuk e pranova akuzën, por të tjerët e pranuan. Unë pranova vetëm atë që kisha folur kundër pushtetit popullor, por jo thirrjen për kryengritje të armatosur. Gjyqi vazhdoi për katër ditë me radhë, paradite dhe pasdite. Në sallën e gjyqit, kishte shumë dëshmitarë e një nga ata ishte një i shëndetësisë, i cili m’u drejtua drejtpërdrejt me përbuzje: “Shaje edhe njëherë Partinë këtu, siç e ke sharë”.
Akuza ishte shumë e rëndë edhe ky po më rëndonte akoma më shumë, e ata po prisnin që unë të shpërtheja, por unë nuk e dhashë veten. Po kështu, gjatë gjyqit, kryetari Shefqet Muçi, më thotë: “Pse ke mbajtur revole”?! “Për të të vrarë ty”, – ia ktheva unë. Kryetari i gjyqit po më provokonte, që unë të acarohesha dhe i thashë fjalën e fundit.
Si përfundim sa ju dënuan?
Vendimi m’u dha; 21 vjet e ca muaj, se nuk më kujtohet saktësisht. Fjalën e fundit e thashë; “protestoj”, ndërsa të tjerët e pranuan. Kërkova apelim e apelimi ka ardhur pas tre muajsh. Ai ishte vendim i formës së prerë, aq sa e dha gjykata e Kukësit.
Pas mbarimit të gjyqit, ku ju çuan për të vuajtur dënimin?
Pas pak kohësh, më kanë çuar në burgun e Burrelit e, më kanë lënë vetëm në një dhomë, me kushte ekstreme, e aty kam ndenjur plot 13 vjet me radhë. Më pas, aty kam pasur nja pesë priftërinj katolikë, që më thane; “shyqyr që shpëtove nga plumbi”.
Kë keni pasur tjetër bashkëvuajtës në qelinë tuaj?
Më vonë më sollën dhe Pjetër Arbnorin në dhomën time, me të cilin bisedonim gjatë kundra pushtetit, pa pasur frikë nga njëri-tjetri. Shpeshherë më merrnin e më çonin në birucë, që të më torturonin, saqë të gjithë të burgosurit, e kuptuan se donin të më eliminonin fizikisht, nëpër biruca. Aty nga viti 1977, më marrin për së dyti në hetuesi. Më hyjnë në dhomë nga ora dhjetë e darkës. Unë u them se ishte pushim, e nuk pranoj të dal për në hetuesi.
Më marrin me forcë e, më çojnë në birucë, ku ishin rreth 13 veta. Gjatë kohës që më çojnë në birucë, më thonë: “Ti nuk e njeh këtë pushtet”? Unë u përgjigjem: “As e njoh dhe as dua ta njoh. Më keq se të hani mish njeriu, keni çfarë të bëni? Atëherë vazhdoni”. Pas kësaj, më torturuan, më lanë pa ndjenja atë natë në dysheme e, më marrin të nesërmen, e më çojnë në birucat e Burrelit. Unë isha i copëtuar, tre brinjë i kisha të thyera. Më sjellin aty brenda dy veta, njëri mora vesh se ishte hetues, kurse tjetrin nuk e dija se kush ishte. Unë u thashë: “Dua kryetarin e gjykatës, mjekun ekspert-ligjor dhe prokurorin, që ta shohin gjendjen time, se ndryshe nuk pranoj të flas asnjë fjalë”.
Si t’u përgjigjën ata?
Ata më thanë: “Kryetari i gjykatës, është me shërbim, mjeku s’është këtu”. Ata mua nuk më pyetën asgjë, se isha i copëtuar, por kishin sajuar një plan, që të më akuzonin se gjoja unë kisha goditur policët. Por ai ishte një budallallëk nga ana e tyre, pasi ajo gjë nuk do të besohej në gjyq, sepse ata ishin 13 veta e, unë s’do të mundja kurrë t’i godisja ata me duar të lidhura. Por ata e bënë punën e tyre dhe më nxorën në gjyq.
Po pas kësaj, ka pasur raste të tjera që ju kanë keqtrajtuar?
Po, pas 21 ditëve, kanë ndodhur prapë tortura me mua, aq sa ra sy edhe të disa burgosurve të tjerë. Një ndër ta është dhe Spartak Ngjela, i cili u ka thënë: “Çfarë bëni kështu, pse e rrihni kot”?! Madje, Spartaku u tha; “Çështjen e Raif Elezit, do ta ndjek ligjërisht deri lart…”! Pas kësaj, Spartakun e kanë spostuar dhe e kanë çuar tek qelitë e “revizionistëve”. Siç i thonim ne në Burrel.
Ndërkaq, vijnë e më thonë mua: “Ti je ankuar”?! “Po, – u them unë, – jam ankuar, por më duket se është ankuar dhe një tjetër për çështjen time dhe të dyja këto ankesa, kërkoj të çohen në Prokurori”. Ata më thanë: “Nuk është këtu personi që është ankuar”. “Shkoni e merreni ku të doni”, u thash unë, duke lënë të kuptoja, që ishte Spartaku. E lanë në heshtje edhe këtë punë. Në vitin 1987, më marrin prapë në tortura dhe më dënojnë me izolim në biruca, për të më eliminuar fizikisht.
Si ndodhi?
Ndërsa isha duke u futur në mensë, më thane: “Raif Elezi dil pak jashtë”. Dola… më vunë hekurat e më nisën në Kukës. I ranë nga Dibra. E pashë se donin të më vrisnin pa gjurmë, se e ndaluan makinën dhe e lanë pas një peme. Nuk e dhashë veten, duke menduar se u pa puna ime. Pas ca minutash, ata morën disa fruta (ishte muaji gusht) si kumbulla të egra e mollë dhe u nisëm përsëri. Më çuan në Kukës, ku më prisnin dy hetues, që nuk ua dija as emrin.
Kur më pyetën se si e kam emrin, gjë e cila nënkuptonte se po riniste hetuesia, unë i sulmova menjëherë. Më mbajtën aty 18 dite me radhë dhe kur e panë se nuk po u dilte gjë, më nisën nga Kukësi për në Burrel. Kur u ktheva në qeli, më pyetën të dënuarit e tjerë, se ç’kishte ngjarë dhe e unë u thashë se më kishin akuzuar edhe një here, për akuzën e parë. Ishte viti 1990 dhe unë isha akoma në burg….!
Kur u liruat nga burgu dhe si e kujtoni ditën e lirimit?
Unë jam liruar në datën 26 janar të vitit 1990. Lirimin nga burgu, unë e kam parë si ëndërr, pasi e konsideroja veten të vdekur. Ëndërr ishte, ëndërr. Pasi udhëtova me një kamion natën, shkova drejt e në shtëpi.
Ju prisnin të shtëpisë, apo nuk e dinin se po liroheshit?
Jo, e dinin, se kisha dërguar vëllanë t’ua thoshte. Kam hyrë në shtëpi në orën 12 e gjysmë të natës. Ata më kishin pritur të vdekur e, kështu filloi vajtimi nga gëzimi. Nuk u besonin syve, që unë pas 22 vjetësh burgu të pandërprerë, kthehesha i gjallë në shtëpi. Gjatë atyre ditëve, mësova edhe shumë gjëra, jo pak të rënda që kishin ndodhur me familjen time dhe të vëllezërve të mi, gjëra të cilat nuk i kisha ditur më parë, për shkak se kisha qenë i izoluar në burgun e Burrelit.
Pasi u liruat nga burgu, me çfarë u morët?
Pas pak kohësh, kam hyrë e kam punuar hamall. Më pas më kanë filluar ndryshimet politike dhe unë e ndjeja se diçka do ndodhte. Në dhjetorin e 1990-ës, e gjithë familja jonë e madhe e Elezëve, u përfshi në ndryshimin e sistemit dhe lëvizjen demokratike. Në themelimin e degës së Partisë Demokratike të Kukësit, kanë marrë pjesë shumë nga familja jonë, vëllezërit e mi dhe djemtë e tyre. Një nga themeluesit, ka qenë vëllai im, Isa Elezi që u zgjodh nënkryetar i degës së PD-së së Kukësit dhe nipi im, Ardjani, djali i Dautit. Një kushëri tjetër, Besnik Elezi, ishte sekretar i degës dhe mjaft të tjerë në kryesinë e saj. S.B