Rënia e Murit, të Berlinit dhe… Tiranës
Nga Leonard Veizi
Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor të vitit 1989 mbetet një nga ngjarjet më tronditëse e të paharrueshme të shekullit XX. Për gati 30 vite muri ishte bërë simbol i ndarjes ideologjike, kulturore dhe politike midis Lindjes dhe Perëndimit. Duke ndarë dhe fatet njerëzore, shpesh me kosto të mëdha sociale. Pas 9 nëntorit 1089 u shfaqën dukshëm shpresat për një Europë të bashkuar, për liri, demokraci dhe të drejta njerëzore.
Sot, 35 vjet pas asaj ngjarjeje madhore, ngrihet pyetja: a e kreu ky akt historik misionin e tij, apo mbetet një ëndërr e paplotësuar?
Liria pas Diktaturës
E keqja e Murit të Berlinit nuk ishte vetëm ndarja fizike e një qyteti. Ai përfaqësonte izolimin e një ideologjie të ngritur mbi frikën, shtypjen dhe kontrollin. Me rrëzimin e tij, bota përjetoi një çlirim simbolik. Me këtë rrëzim u mbartën edhe aspiratat e shumë popujve të Evropës Lindore për t’u larguar nga zgjedha e sistemeve diktatoriale.
Në rrafshin ndërkombëtar, rënia e murit shënoi edhe fundin e Luftës së Ftohtë. Shtetet filluan të lidhnin më shumë ura bashkëpunimi sesa të ngrinin barriera. Lindja dhe Perëndimi, më parë rivalë të betuar, filluan të përafrohen drejt një bote më pak të polarizuar.
Megjithatë 35 vjet më pas ngrihet sërish pyetja: a jemi ne në të vërtetë aty ku na çoi ky ideal i lirive të fituara?
Procesi i bashkimit politik dhe ekonomik brenda Evropës së re rezultoi të jetë një sfidë komplekse. Pabarazitë e trashëguara të sistemeve socialiste në Evropën Lindore ende lënë gjurmë të thella, duke krijuar distanca socio-ekonomike ndërmjet vendeve perëndimore dhe lindore të BE-së. Asimetritë ekonomike e përkeqësuan integrimin dhe lindën dallime që vazhdojnë të ushqejnë ndjenjat populiste dhe të ekstremit politik.
Sot, sfidat e rritjes ekonomike, krizave të migracionit dhe tensioneve të brendshme në Bashkimin Evropian shfaqin një tablo ku enden dyshimet për suksesin e misionit që rënia e murit përfaqësonte. Po ashtu, ngritja e mureve të reja – fizike dhe ideologjike – për të përballuar flukset e refugjatëve ose për të ruajtur “sigurinë” brenda kufijve shtetërorë ka ngjallur polemika që sfidojnë idealet për një Evropë të hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Kur e kthejmë kokën mbrapa, është e lehtë të themi që rënia e Murit të Berlinit nuk përmbushi plotësisht misionin e saj; se bashkimi politik dhe ideali i lirive universale ende mbeten të pakonsoliduara. Në anën tjetër, duhet të kuptojmë që misioni i lirisë dhe i përparimit nuk përfundon kurrë – ai është një proces që duhet mbajtur i gjallë përmes angazhimit të përbashkët.
Në fund të fundit, rënia e murit përfaqësoi një epokë të re dhe një angazhim për përmirësim, por ndryshimi i vërtetë nuk ndodh vetëm me rrëzimin e një barriere fizike.
Shqipëria dhe Demokracia
Në Shqipëri, rënia e Murit të Berlinit u reflektua më shumë se një vit më pas, në dhjetor 1990, kur edhe regjimi komunist shqiptar nisi të lëkundej nën presionin e protestave studentore dhe kërkesave të qytetarëve për liri e ndryshim. Pas dekadash izolimi dhe shtypjeje nën diktaturë, Shqipëria hyri në një epokë të re me përmbysjen e regjimit në mars 1991, që solli për herë të parë pluralizmin politik dhe hapjen e dyerve drejt botës.
E megjithatë edhe në këtë pikë ngrihet pyetja e përhershme: Ku ndodhet Shqipëria sot me demokracinë?
Demokracia në Shqipëri ka qenë një rrugëtim i ndërlikuar që nga vitet ‘90 e deri më sot. Pas dekadave të një regjimi autoritar, krijimi i institucioneve demokratike u pa si një nevojë urgjente. Por ky proces nuk është ndjekur gjithnjë nga një vizion i qëndrueshëm apo i bashkërenduar për një të ardhme demokratike, shpesh për shkak të sfidave të shumta: papunësia, varfëria, konflikti politik, dhe korrupsioni janë disa nga pengesat që kanë vështirësuar konsolidimin e demokracisë shqiptare.
Një nga sfidat më të mëdha të demokracisë shqiptare është kultura politike e polarizuar dhe mungesa e besimit të ndërsjellë midis institucioneve dhe qytetarëve. Krizat e herëpashershme politike, bojkoti i parlamenteve, dhe akuzat e vazhdueshme për korrupsion e abuzim me pushtetin, kanë dobësuar besimin e qytetarëve tek demokracia si një sistem që funksionon për të mirën e përbashkët. Shpesh, zgjedhjet janë shoqëruar me tensione, akuza për manipulime dhe përplasje, gjë që ka krijuar një cikël të gjatë mosbesimi dhe ndjenjë pasigurie për të ardhmen.
Megjithë sfidat e dukshme, Shqipëria ka bërë përpjekje të rëndësishme drejt forcimit të institucioneve demokratike dhe integrimit evropian.
Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe Reforma në Drejtësi, shënojnë një përpjekje të madhe për të larguar ndikimin politik nga sistemi gjyqësor dhe për të ndëshkuar korrupsionin.
Megjithatë, progresi shpesh duket i ngadaltë dhe i brishtë.
Kur reflektojmë për rrënimin e Murit të Berlinit dhe idealet e lirisë që ai përfaqësonte, kuptojmë se demokracia nuk është një arritje e vetme; është një proces që kërkon përkushtim të përhershëm.
Rreziku nga autoritarizmi
35 vite pas rrënies së Murit të Berlinit rreziku nga regjimet autoritare për Evropën dhe botën perëndimore është i vërtetë dhe gjithnjë në rritje. Ndikimi i regjimeve autoritare si ato në Rusi dhe Kinë është bërë më i dukshëm dhe përfshin një sërë fushash të rëndësishme për stabilitetin global: politikën, ekonominë, teknologjinë dhe sigurinë. Ky ndikim nuk është më i kufizuar vetëm brenda kufijve të tyre, por synon të zgjerojë ndikimin në arenën ndërkombëtare, shpesh duke sfiduar ose minuar vlerat demokratike.
Përhapja e ndikimit autoritar përbën një sfidë themelore për vetë thelbin e demokracisë si sistem dhe model qeverisës. Shumë vëzhgues paralajmërojnë se, nëse regjimet autoritare vazhdojnë të avancojnë pa sfidë dhe të krijojnë modele alternative që sfidojnë vlerat demokratike, mund të ndodhë një dobësim i rëndësishëm i rendit ndërkombëtar të bazuar në ligje, të drejta dhe barazi.
Demokratitë perëndimore duhet të angazhohen për të mbrojtur themelet e tyre. Për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat, nuk mjaftojnë vetëm ligjet; nevojiten përpjekje të përbashkëta për të përmirësuar edukimin dhe për të krijuar një shoqëri më të qëndrueshme që mund t’i përballojë sfidat e reja. Vetëm me këtë përkushtim, Evropa dhe bota perëndimore mund të ruajnë idealet e demokracisë dhe të mbeten të forta përballë sfidave në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.