Mbajtja në nivele të ulëta dhe nën kontroll e inflacionit, por edhe trendi rënës i borxhit publik dhe të huaj, janë disa nga elementët që tregojnë se ekonomia e vendit tonë vazhdon të rritet me ritme pozitive.
Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, është shprehur se ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen edhe në tremujorin e tretë të vitit, ku kjo rritje është përkthyer në zgjerimin e të ardhurave të familjeve, apo në përmirësimin e situatës financiare të bizneseve.
“Rritja ekonomike është shoqëruar me zgjerim të punësimit, rritje të pagave dhe përmirësim të shëndetit të bilanceve financiare të biznesit shqiptar. Të ardhurat e disponueshme të familjeve, të siguruara nga punësimi, pagat, rritja e remitancave, janë në zgjerim, pra garantojnë një rritje të konsumit dhe mirëqenies së familjeve shqiptare.”
Sipas Themelit, inflacioni i ulët ka ndihmuar familjet që të ruajnë vlerën e të ardhurave dhe kursimeve të tyre.
“Inflacioni i ulët është një parakusht i domosdoshëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike, pasi ai ndihmon familjet që të ruajnë vlerën e të ardhurave dhe kursimeve të tyre, dhe po ashtu i jep hapësirë biznesit të jetë më i sigurt në parashikimet e veta, në planet e investimeve, si dhe të zgjerojë kërkesën për kredi. Nga ana tjetër, rënia e inflacionit na ka ndihmuar edhe ne si Bankë Shqipërie që të lehtësojmë gradualisht politikën monetare.”
Inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë muajve të mbetur të vitit 2024 dhe të kthehet gradualisht në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm./ S,M