Nga ARTUR AJAZI
Ka hyrë në “modë” kërkesa e hershme dhe e qindrapërsëritur e opozitës parazitiste, për “komisionet hetimore”. Ç’nuk ka kërkuar kjo opozitë, madje qysh muajt e parë të mandatit të parë të Partisë Socialiste dhe qeverisjes Rama. Kërkojnë “komisione hetimore”, gjithmonë kur nuk ka arsye për ti ngritur, kërkojnë ato komisione, për të mbuluar boshllëkun që ata kanë në bazën e partisë, për të afruar mbështetje nga mbështetësit, dhe për të krijuar idenë se “ne punojmë, hetojmë, jetojmë si në rrethim nga kjo qeveri”.
Sikur Edi Rama, ti kishte kushtuar vetëm 2 per qind vëmëndje, kërkesave për komisionet hetimore të opozitës, dhe të ishte marrë seriozisht me ato, nuk do të kishte mbaruar asnjë rrugë, asnjë investim, asnjë projekt nuk do të ishte mbaruar, dhe qytetet tona do të kishin mbetur si mos më keq. Ka nja 2 muaj e ca, që pas flakadanëve në Parlament, opozita “fitoi” të drejtën e ngritjes së një komisioni hetimore medemek, për “sterilizimin në shëndetësi”. Paraprakisht dua të them se, sikur PD-ja të ishte akoma dhe sot në pushtet, do të kishim sërish situatën skandaloze në shëndetësi. Duke u kthyer tek komisioni “Vokshi”, mjafton të dëgjosh si ata e drejtojnë atë, për tu bindur se thjesht, duan të tallen dhe shtyjnë muajt duke ardhur “varavingo xhaxhi”.
Kjo është e turpshme. Thirren dëshmitarë, zyrtarë apo dhe të paraburgosur nga SPAK, dhe trajtohen sikur të ishin lecka, dhe jo njerëz. Tallja më e madhe bëhet, kur kryetarja Vokshi, nis dhe u hakërrehet palës socialiste, dhe u kujton atyre se “ky komision do t’u nxjerrë juve bëmat dhe vjedhjet”. Por rezultati dihet. Deri sot, ai komision, ashtu si dhe komisionet e tjera të drejtuara nga opozita, kanë nxjerrë “vrimën në ujë”. Asnjë fakt dhe argument shtesë, nga sa ka sot SPAK-u në dosjet e tij. Asnjë “telash” të ri për qeverisjen dhe kryeministrin.
Por ajo që mbetet në “sirtar”, është arritja e qëllimit kryesor të komisionit “Vokshi”. Berisha u ka thënë prerazi atyre se “duhet thirrur Edi Rama patjetër para jush, të japë llogari”. Pra , nuk është halli tek “sterilizimi, vjedhja dhe korrupsioni”, por tek thirrja e Edi Ramës para atij komisioni medemek “hetimor”. Duhet të jesh shumë i sofistikuar politikisht (gjë të cilën opozita nuk e ka) të arrish qëllimin elektoral duke përfituar nga ngritja e një komisioni hetimor.
Ata tallen me paratë e shqiptarëve, tallen me dëshmitë e personave që pyesin, dhe pastaj kërkojnë nga Kuvendi “shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve të atij komisioni”. Ngritja e këtyre komisioneve “hetimore”, mbetet të paktën për deputetët e kësaj opozite, gallata dhe tallja që u bëhet shqiptarëve, që mbërthehen ekraneve ,dhe nuk shohin as fakte dhe as dëshmi shtesë, që do ti vlenin SPAK-ut.
Këto komisione, duan të marrin atributet e strukturave hetimore, ndaj dhe çdo komision i tillë i ngritur me kërkesë të opozitës, ka rezultuar humbje kohe, dhe shpenzime të kota parash. Duke shfrytëzuar afrimin e fushatës elektorale, PD-ja shpreson se me komisionet hetimore, mund të fitojë ca mbështetës më shumë, apo dhe të ngrejë “kauza” bajate të cilat do ti sjellin asaj patjeter humbjen e madhe në 2025./ S,M