Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka deklaruar se buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se ky është buxheti më i madh i parashikuar për shëndetësinë, me një rritje prej 5% nga viti i kaluar.
“Buxheti 2025 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale tejkalon 1 miliard euro. Ky është buxheti më i madh ndonjëherë për sektorin, me rritje prej 5% nga viti i kaluar dhe një fokus të fortë në tre shtylla kryesore:
1️⃣ Mbulim universal për qytetarët, me reduktim kostosh, shërbime të zgjeruara dhe rritje aksesi në vendbanim. Financime për fëmijët në nevojë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë vulnerabël.
2️⃣ Vlerësim i personelit shëndetësor përmes përmirësimit të kushteve dhe rritjes së pagave.
3️⃣ Investime historike për modernizim: Ndërtime të reja, rikonstruksione në spitale dhe qendra shëndetësore anembanë vendit. Do të hapen kantiere të rëndësishme si ai i Spitalit Rajonal Korçë dhe rikonstruksioni i pavioneve kyçe në QSUT dhe spitalet rajonale.
Në kujdesin parësor, parashikojmë 7.6 milionë vizita dhe vazhdojmë me rimbursimin për fishat e diabetit dhe barnat për 400 mijë qytetarë. Në kujdesin dytësor, mbështesim trajtime jetësore, përfshirë transplantin e veshkave, dializën dhe paketën e fertilitetit për 150 familje të reja.
4️⃣ Në fushën e Mbrojtjes Sociale, mbështesim me ndihmë financiare 62 mijë familje me skemën e ndihmës ekonomike me vlerë 7.2 miliardë lekë.
Nga skema e Aftesisë së kufizuar do të përfitojnë 91 mijë e 240 qytetarë me AK me vlerë 15 miliardë lekë.
Vijojmë mbeshtetjen për institucionet e përkujdesit social, për fëmijët, të moshuarit e shtresat në nevojë me një vlerë prej 1.3 miliardë lekësh.
Buxheti 2025 reflekton një angazhim të fortë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen sociale, duke garantuar një standard të denjë për të gjithë qytetarët tanë”, shkruan Koçiu. S.B