BE-ja është përpjekur të mbrojë emigrantët dhe refugjatët, dhe të mbështetë komunitetet lokale në vend, duke promovuar në të njëjtën kohë rrugët e ligjshme të migrimit dhe reduktimin e largimeve të parregullta.
Realiteti që fsheh çështja komplekse e ikjes së dëshpëruar të emigrantëve nga vendet nën-Sahariane, tregon se si kjo tragjedi njerëzore, është bërë një shqetësim serioz i sigurisë kombëtare, si për vendet e Afrikës Veriore ashtu edhe për vendet e Evropës Jugore.
Në fakt, kjo çështje duhet të trajtohet me politika publike afatgjata të mençura dhe të mirëfillta, pasi është një krizë humanitare. Udhëtimi i këtyre njerëzve përmes kushteve të ashpra të shkretëtirës dhe kalimet ilegale nga vendet e Magrebit – Algjeria, Tunizia, Libia, Mauritania dhe Maroku – në brigjet italiane dhe spanjolle, përmes atyre që quhen me të drejtë si “varkat e vdekjes”, janë që të gjitha simptomat e kësaj krize.
Megjithatë rrënjët e saj shtrihen përtej një lëvizjeje të thjeshtë gjeografike dhe demografike të njerëzve nga jugu në veri për shkak të klimës së ashpër, kushteve të rënda ekonomike dhe madje edhe urisë, padrejtësive sociale dhe ngërçit politik.
Për dekada të tëra, vendet e Evropës Jugore, dhe sidomos Franca, kanë përdorur njerëz nga Afrika Sub-Sahariane dhe veçanërisht vendet e Magrebit si një rezervuar për krahun e punës. Por vitet e fundit, çështja e emigrantëve ka filluar që t’i befasojë vendimmarrësit, politikanët, mediat dhe madje edhe elitat në vendet e nisjes, tranzitit dhe ato pritëse.
Emigrantët e vendeve sub-Sahariane mbërrijnë në vendet e zonës së Magrebit, dhe prej andej vazhdojnë udhëtimin e tyre të rrezikshëm për të kaluar ilegalisht në Evropë. Ky udhëtim, është plot me rreziqe të panjohura për ta, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, rekrutimin e grupeve terroriste dhe trafikun e drogës.
Prandaj, këto nevoja të domosdoshme njerëzore dhe socio-ekonomike, duhet të adresohen përmes rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërive në vendet transitore dhe pritëse. Kjo duhet të pasohet nga koordinimi ndërmjet organizatave joqeveritare lokale dhe autoriteteve në ato vende, si dhe nga zbatimi i programeve humanitare të studiuara mirë në aspektin e mbrojtjes, integrimit dhe pas-integrimit, sipas Konventës së Gjenevës të vitit 1951 për Mbrojtjen e Emigrantëve.
Çështja e emigrantëve, ka lidhje me kohezionin social për të gjithë strukturën sociale dhe kulturore të vendeve pritëse tranzite të Afrikës së Veriut dhe Evropës. Ky është argumenti i përdorur nga politikanët e ekstremit të djathtë, media dhe votuesit.
Në këtë kontekst, në vendet e Afrikës së Veriut janë vendimtare masat e guximshme si politikat publike, fushatat ndërgjegjësuese në shkollat fillore dhe xhamitë, dhe roli i medias kryesore për të raportuar në mënyrë të drejtë mbi një çështje kaq komplekse. Pasojat e neglizhimit të kësaj çështje, ushqejnë gjuhën e urrejtjes dhe dhunën.
Është e rëndësishme që politikanët ksenofobë dhe mediat e papërgjegjshme, të mos lejohen të shfrytëzojnë çështjen e emigrantëve, siç po ndodh aktualisht në Francë dhe Itali. Për shembull, Tunizia po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion për emigrantët dhe azilkërkuesit.
BE-ja është përpjekur të mbrojë emigrantët dhe refugjatët, dhe të mbështetë komunitetet lokale në vend, duke promovuar në të njëjtën kohë rrugët e ligjshme të migrimit dhe reduktimin e largimeve të parregullta. Në të njëjtën kohë, Brukseli po merr masa për të fuqizuar menaxhimin e kufijve dhe luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandën.
Gjatë samiti të fundit të BE në Bruksel muajin e kaluar, liderët e BE diskutuan mbi ngritjen e “qendrave të rikthimit” – pra qendrave të përpunimit dhe ndalimit në vendet jashtë bllokut. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se do të vazhdojnë bisedimet mbi mënyrën se si mund të funksionojnë këto qendra.
Edhe deklarata përfundimtare e samitit, pasqyroi qëndrimin e ri të bllokut ndaj migracionit, duke bërë thirrje për “një veprim të vendosur në të gjitha nivelet për të lehtësuar, rritur dhe përshpejtuar dëbimet nga BE-ja duke përdorur të gjitha politikat, instrumentet dhe mjetet përkatëse të bllokut”.
Megjithatë, kjo qasje përballet me kritika të ashpra nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe partitë e majta në Francë. Ministri i ri i Brendshëm francez Bruno Retailleau, ideologjia e të cilit anon nga lëvizjet e ekstremit të djathtë në Evropë, po kërkon për masa të ashpra ndaj emigrantëve të paligjshëm në Francë.
Parisi po përballet me një sfidë serioze nga vendet e Magrebit, veçanërisht Algjeria dhe Tunizia, për çështjen e OQTF (detyrimi për t’u larguar nga territori francez). Vendimi për të larguar apo detyruar dikë të largohet nga territori francez merret nga prefekti i qarkut, sidomos në rastin e refuzimit për të lëshuar një leje qëndrimi në Francë.
Vendimi e detyron emigrantin të largohet vullnetarisht nga Franca brenda 30 ditëve. Në disa raste, mund ta detyrojë atë të largohet menjëherë. Sipas autoriteteve dhe mediave franceze, Algjeria dhe Tunizia nuk kanë qenë bashkëpunuese për këtë çështje. Franca po kërkon një model të ngjashëm me atë të Shqipërisë.
Vendet evropiane si Italia, Franca, Austria dhe Gjermania janë angazhuar me Tunizinë dhe Egjiptin sipas marrëveshjeve të Frontex për ta menaxhuar çështjen e emigrantëve jashtë vendit.
Por ekspertët për çështjet e migracionit, kanë ngritur vazhdimisht dyshime nëse programe si sistemi i azilit me bazë në BE, apo qendrat në vendet e treta, mund të jenë ndonjëherë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Sepse qendrat italiane në Shqipëri, po përballen me sfida ligjore për shkak të çështjeve të juridiksionit territorial. Edhe programi britanik i dëbimit të emigrantëve në Ruanda, u përball me pengesa të ngjashme nga gjykatat. Tani, vendet e BE-së po merren me këtë çështje përmes qasjeve dypalëshe.
Për shembull, Gjermania nisi këtë verë zbatimin e marrëveshjeve me Marokun, Taxhikistanin dhe Afganistanin (pavarësisht se nuk ka lidhje diplomatike midis Berlinit dhe Kabulit, teksa kryeqyteti taxhik Dushanbe shërben si ndërmjetës i çështjeve diplomatike midis Kabulit dhe Berlinit).
Franca ka zgjedhur një rrugë të ngjashme, duke negociuar me Marokun. Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë, dhe një marrëveshje në një shkallë të vogël mes Danimarkës dhe Kosovës, e kanë bërë Shqipërinë dhe Kosovën të etur për t’u anëtarësuar në BE.
Megjithatë, është e paqartë se cilat vende jo anëtare të BE-së mund të jenë të gatshme të presin qendra të tilla. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, deklaroi pas samitit të fundit të BE-së se “shumë vende po synojnë të ndjekin shembullin e Shqipërisë”, dhe disa liderë të ekstremit të djathtë, e vlerësuan atë që kryeministri holandez Dick Schoof e përshkroi si “një humor të ndryshuar në Evropë”.
Së fundi, ndërsa migrimi i parregullt në BE ka rënë me mbi 40 për qind këtë vit krahasuar me vitin 2023, qasja e ashpër e bllokut pasqyron suksesin e partive të ekstremit të djathtë, anti-migracion, të cilat gjatë dekadës së fundit e kanë dominuar narrativën mbi migracionin në media. Për pasojë, kjo çështje kërkon veprime të guximshme politike dhe humanitare, dhe jo shfrytëzim për lojëra politike./ Përshtati “Pamfleti” Nga “Daily Sabah”/ S,M