Analisti Fitim Zekthi, deklaroi se Partia Demokratike sot është në një provë zjarri. Ai tha se Berisha ka kohë që thotë se e mund Ramën, por sipas tij Berisha do humbasë.
Për Zekthin, lëvizja e Sali Berishës nuk e mund dot qeverinë aktuale, pasi është jashtë kohës dhe flet me gjuhën e vjetër. Zekthi shtoi se lëvizja e Berishës nuk shikon nga vetja dhe fatkeqësisht është kundër SPAK.
“Në PD janë gëzuar më shumë për faktin që “ne e mundëm SPAK-un” dhe kjo krijon një lloj entuziazmi. Ka një lloj entuziazmi në Partinë Demokratike. Fatkeqësisht, PD e cilëson SPAK-un kundërshtar. Ky lirim i Berishës është procedurë rutinë e zakonshme e gjykatave tona. Sali Berisha vazhdon të ketë marrëdhënien që kishte me sistemin e drejtësisë. Berisha do të shkojë në gjyq sërish. Nuk ka ndryshuar asgjë në thelb. Heqja e masës ndaj Berishës krijon normalitet politik. Berisha thotë shpesh që do ta mundë Ramën. PD është në një provë zjarri. Sali Berisha të provojë atë që ka thënë, se ai e mund Ramën dhe të qeverisë Shqipërinë mirë. Por, mendoj se Berisha do dështojë. Berisha po udhëheq një lëvizje jashtë kohës, që do i bjerë murit me kokë.
Unë do doja të fitonte, por Sali Berisha nuk do fitojë dot. Problemi kryesor që ka Berisha është se nuk mund të ndërtojë dot një parti, që është kundër kohës e kundër historisë. Kjo është lëvizje që rri tek një gjuhë, që nuk pranohet nga populli shqiptar. Është lëvizje që nuk sheh nga vetja. E thotë të vërtetën për Ramën, por për veten nuk e thotë. PD e Berishës është ajo që ka humbur zgjedhjet dhe aq më tepër që ka izolim ndërkombëtar. Kjo parti duhet të përkrahë reformën në drejtësi, të reformohet e atëherë do mundë Ramën thellë. Pastaj duhet një koalicion i madh, që qeveria Rama të bjerë. Do doja që Berisha ta fuste PD-në në një kurs pro reformës në drejtësi. Nuk besoj se do ta bëjë, marrëdhënia e PD me SPAK do jetë përplasja e prandaj nuk fiton dot”, tha Zekthi për “News24”.
Më tej, analisti Zekthi shtoi se kryeministri Edi Rama ka interes politik që Berisha të jetë i lirë dhe të godasë SPAK-un.
“Edi Rama ka interes që SPAK të bëhet copë-copë, sepse rreziku kryesor për mazhorancën është SPAK-u. Rama nuk do që SPAK të hetojë njerëz shumë të lartë në pozita. Edi Rama nuk do që SPAK të prishë gjendjen e dikurshme. Rama do gjendjen që vjen në pushtet politikani A ose B. Edi Rama nuk do që Berisha të hetohet fare, pasi kështu fiton. Rama ka interes politik që Berisha të jetë i lirë dhe të godasë SPAK”, deklaroi Zekthi./ S.M