Bashkia Tiranë, në kuadër të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Zhvillimin e Ekonomisë Qarkulluese, po ndërmerr hapa të rëndësishëm për transformimin e qytetit drejt një modeli më të qëndrueshëm. Në bashkëpunim me programin europian URBACT dhe qytete të tjera të BE-së, po zhvillohen projekte që synojnë promovimin e praktikave të reja për uljen e mbetjeve dhe përdorimin më efikas të burimeve.
Projekti “Let’s Go Circular” ka si qëllim krijimin e një platforme ku qytetarët, bizneset dhe organizatat mund të bashkëpunojnë për të hartuar dhe zbatuar strategji konkrete që mbështesin ekonominë qarkulluese. Më 25 nëntor 2024, në bibliotekën “Moikom Zeqo,” u mbajt takimi i pestë i grupit lokal Urbact, ku u diskutua mbi vizionin dhe objektivat kryesore të Planit të Veprimit për Ekonominë Qarkulluese.
Ky plan, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025, përfshin minimizimin e paketimeve plastike dhe organizimin e eventeve të gjelbra si hapa të parë për transformimin e qytetit. Përveç hartimit të strategjive, projekti do të përqendrohet në testimin e veprimtarive pilot dhe monitorimin e rezultateve për të siguruar qëndrueshmërinë e tyre.
Në bashkëpunim me partnerët lokal dhe ndërkombëtarë, Bashkia Tiranë synon të shndërrohet në një model suksesi për qytetet europiane, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të gjelbër për të gjithë qytetarët.
S.M