Shqipëria do të mësojë të premten kundërshtarët me të cilët do të përballet në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Shorti do të hidhet në selinë qëndrore të FIFA-s në Zyrih nesër në ora 12:00. Kombëtarja është pjesë e vazos së tretë. Ndërkaq, vazot e tjera janë të ndara si më poshtë:
Vazo 1: Francë, Spanjë, Angli, Portugali, Holandë, Belgjikë, Itali, Gjermani, Kroaci, Zvicër, Danimarkë, Austri.
Vazo 2: Ukrainë, Suedi, Turqi, Uells, Hungari, Serbi, Poloni, Rumani, Greqi, Sllovaki, Çeki, Norvegji.
Vazo 3: Skoci, Slloveni, Republika e Irlandës, Shqipëri, Maqedonia e Veriut, Gjeorgji, Finlandë, Islandë, Irlanda e Veriut. Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Izraeli.
Vazo 4: Bullgari, Luksemburg, Bjellorusi, Kosovë, Armeni, Kazakistan, Azerbajxhan, Estoni, Qipro, Ishujt Faroe, Letoni, Lituani.
Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtejn, San Marino.
Ekipet do të tërhiqen në 12 grupe me katër dhe pesë skuadra, teksa ato në një vazo nuk mund të luajnë me njëra-tjetrën. Kombëtarja rrezikon në grup Serbinë, ose ndeshje me Kosovën. Sistemi i dueleve do jetë vajtje-ardhje.
Kualifikueset europiane për Kupën e Botës 2026 janë planifikuar të fillojnë në mars 2025 dhe të përfundojnë së bashku me fazën “play-off” në mars 2026.
Ekipet që janë renditur të parat në grupet e Nations League dhe vendet e dyta dhe të treta që luajnë për t’u ngjitur/zbritur nga ligat e NL do të jenë në grupe me katër ekipe dhe do të jenë pjesë e grupeve A-F.
/E.S