Ish-forcat e sigurisë të regjimit sirian i kanë dorëzuar armët e tyre qeverisë kalimtare të lidhur me rebelët në qytetin jugor të Sirisë, Latakia, sipas një video të filmuar nga Agence France-Presse.
Sipas mediave të huaja, pamjet, të filmuara në fillim të kësaj jave, tregojnë radhë të gjata burrash të veshur me rroba civile teksa presin t’i dorëzojnë armët e tyre personale të zjarrit zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të qeverisë së re siriane.
Zyrtarët shihen duke intervistuar joformalisht burrat dhe duke marrë fotografitë e tyre ndërsa ata dorëzojnë armët e tyre, tregojnë pamjet e AFP. Qindra pistoleta të ndryshme dhe municione mund të shihen të grumbulluara lart në qoshet e zyrës së qeverisë, shkruan A2 CNN.
Kjo lëvizje vjen pasi udhëheqja e re e Sirisë, e udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al Sham (HTS), ka punuar për të transferuar pushtetin në mënyrë paqësore dhe për të fituar legjitimitet ndërkombëtar.
Një udhëheqës i qeverisë siriane i lidhur me rebelët, Mohammad Al-Bashir, është emëruar si kryeministër i përkohshëm i vendit për tre muajt e ardhshëm, gjatë të cilit qeveria e tij do të mbikëqyrë kalimin e Sirisë në një qeveri të re, njoftoi ai në një fjalim televiziv javën e kaluar.
Ministrat e ish-Qeverisë së Shpëtimit të lidhur me HTS, si dhe nëpunësit civilë të epokës së Asadit, do të vazhdojnë të shërbejnë si ministra në qeverinë e përkohshme deri më 1 mars 2025, tha Al-Bashir./K.B