“5 Maji”, Veliaj jep certifikatat dhe premton përfundimin e projekteve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në një realitet të transformuar krejtësisht, siç është lagjia e re e “5 Majit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e pronësisë për familjet e prekura nga tërmeti i 2019, të cilët kanë hyrë prej disa kohësh në shtëpitë e tyre të reja. Me infrastrukturë moderne, akses në shërbime cilësore publike e private dhe me parqe e mjedise sportive, për kryebashkiakun Veliaj, transformimi i kësaj zone është dëshmi e punës së përbashkët.

Sipas tij, koha e harxhuar me përçarje, ndasi politike e sherre, është kohë e çuar dëm. Veliaj apeloi që fokusi duhet të jetë puna dhe e mira e përbashkët.

“Kjo tregon çfarë fuqie kanë njerëzit kur bashkëpunojnë dhe kur i shtrohen punës për të transformuar jetët e njerëzve. Ja ku jemi sot: pallatet janë të vërteta, njerëzit janë të vërtetë dhe certifikatat e pronësisë janë të vërteta. Unë nuk besoj që shteti është i majtë ose i djathtë, unë besoj se shteti është në shërbim të njerëzve. Ky është shteti ynë, kjo është qeveria jonë, kjo është bashkia jonë, këto janë punëtorët tanë, kjo është administrata jonë. Shteti është i shqiptarëve dhe Tirana është e qytetarëve. Ndaj, mesazhi që dua të jap sot është ta bëjmë këtë vend, e kemi vetë në dorë”, tha ai.

Veliaj deklaroi se shpërndarja e certifikatave të pronësisë mund të kishte ndodhur dy-tre vjet më parë, por bllokimi i punës e bëri të pamundur. “Këtë mund ta kishim bërë përpara dy-tre vitesh. Në Kombinat jemi ende mbrapa, sa filluam të japim shtëpitë e para sepse na u desh të përballeshim me 28 procese gjyqësore. 28 gjyqe që u hapën nga ata që nuk numërojnë dot vilat e tyre, i harrojnë ku i kanë vilat, ndërkohë për njerëzit na bllokonin punën. Ku janë sot? Ku janë ata që përçanin njerëz? Ku janë sot ata që mbillnin helm në komunitet? Sot përulem me respekt dhe me shumë dashuri e mirënjohje për ju, që qëndruat të bashkuar, që patët besim, bashkëpunuat me qeverinë, me shtetin”, tha Veliaj.

Lexo edhe :  Erion Veliaj reagon nga paraburgimi: Dosje e kurdisur, gabime trashanike

Kryebashkiaku theksoi vendosmërinë e tij për të çuar përpara projektet transformuese të Tiranës. “Jam më i vendosur se kurrë që ta mbaroj “5 Majin”, Kombinatin, të mbarojë Bulevardi i Ri, të bëhet Kopshti Botanik, të bëjmë shkollat e reja te Astiri. Kur të shkruhet historia e këtij qyteti, asnjë nuk do t’i mbajë mend bllokuesit. Nuk do të ketë asnjë faqe, asnjë rresht, asnjë germë në historinë e Tiranës për ata që na bllokuan, do harrohen”, deklaroi ai.

Për kreun e Bashkisë, transformimi cilësor i çerdheve, kopshteve, apo hapësirave të tjera me funksion komunitar është rezultat i politikave sociale të Bashkisë së Tiranës. Teksa nënvizoi faktin se fokusi i bashkisë duhet të jenë shtresat më në nevojë, kryebashkiaku vlerësoi nismën për pajisjen me abone falas të pensionistëve, si një nismë që favorizon lirinë e lëvizjes.

“Kur je pensionist, kur je student, kur je në nevojë, çdo gjë ndihmon. Më vjen mirë që e filluam duke iu dhënë pensionistëve këtë liri të lëvizjes. Liria e lëvizjes, është liri shumë e rëndësishme, dhe jam sot vërtet i lumtur që, siç bëmë për studentët, e bëmë edhe për gjyshërit dhe për gjyshet tona. U japim prioritet atyre që janë, në fakt, edhe ata që duan dhe kanë nevojë për më shumë ndihmë”, sqaroi Veliaj.

Në lagjen e re te “5 Maji”, nuk do akomodohen vetëm familjet e prekura nga tërmeti i 2019, por edhe ata që kanë pasur shtëpitë e tyre pa dokumente dhe që janë shpronësuar. Numri total i apartamenteve të ndërtuara është 780, nga të cilat janë shpërndarë 428 apartamente në 7 godina./    S.M

Të fundit

Greqia përfshihet nga moti i keq, qarkullimi ndalohet në disa rrugë të Zakinthos

Greqia po përballet me kushte të këqija moti, me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta. Policia Rrugore...

Media amerikane “Seattle Times”: Gjirokastra, destinacion për t’u vizituar në 2025

Sipas një raporti të kompanisë amrikane të udhëtimit Expedia, i cili anketoi 25,000 njerëz nga 19 vende, 63 përqind e udhëtarëve ka të ngjarë...

Ç’duhet bërë?!

Nga Ylli Manjani Ç’duhet bërë?! Ma bëjnë shumë miq këtë pyetje. Po rendis edhe njëherë disa ndërhyrje ligjore që duhen bërë sa më shpejt, për të...

Protesta pro Veliajt, Policia i përgjigjet GJKKO-së: Ishte spontane

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar me anë të një deklarate zyrtare ndaj Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe...

Rama apel diasporës për t’u regjistruar: Ne shqipot i lëmë gjërat për në moment të fundit

Kreu i qeverisë, Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, u bëri apel emigrantëve të regjistrohen në zgjedhjet e 11 Majit. Rama u kërkoi...

Lajme të tjera

Web TV