Për konsum e blerje banesash, shqiptarët rritën kërkesat për huamarrje nga bankat në vend. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për 3 mujorin e 4 të 2024 mbi aktivitetin kreditues në vend, tregon një rritje të interesit nga individët si pasojë e lehtësimit të standardeve të kredisë kryesisht asaj konsumatore
“Rritja e kërkesës konsumatore mund të interpretohet si pamundësi e individit për të përballuar shpenzimet e përditshme por dhe si mundësi e zgjeruar e qytetarëve që kërkojnë financim shtesë se ndjejnë që gjendja ekonomike është përmirësuar dhe ja lejojnë vetes ta marrin”, u shpreh Elvin Meka, ekspert bankar.
Pavarësisht se pati një shtrëngim të kushteve të kreditimit për blerjen e pasurive të paluajtshme si pasojë e aftësisë paguese, huamarrja për këtë sektor u rrit në fundvit.
“Gjithmonë e më shumë po i qasen blerjes së banesave ata që kanë mundësinë paguese dhe sigurisht që bankat janë në treg për t’i shërbyer kësaj klientele”, theksoi Meka.
Sipas Bankës së Shqipërisë kredia e re për individët gjatë 11 mujorit 2024 arriti në 94.2 miliardë lekë, në rritje me 14.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Interesi për kredi nga individët sipas Bankës Qendrore do të rritet edhe më tej edhe në muajt e parë të 2025. /kb
Burimi: A2CNN