Nga Spartak Ngjela
Por, ti marrësh jetën tjetrit, sigurisht që është barbari primitive.
Pse ekziston një ngjarje tragjike në jetën tonë njerëzore?
Kush është thelbi i kësaj jete, humanizmi apo tragjizmi? Kjo ende nuk dihet mirë, sepse tragjikja ende jeton.
Në një ngjarje tragjike ndodh gjithmonë si vrasje që i ka marrë jetën një njeriu. Dhe shtysa kësaj vrasjeje ka qenë ose xhelozi, ose një vjedhje, ose një tradhti, ose një intrigë që ka sjellë një vrasje, apo një dëm të madh financiar; por shpesh vrasja bëhet edhe si një kërkesë e madhe për pushtet, apo edhe si një hakmarrje.
Dhe kjo ngjarje quhet vrasja e dikujt nga dikush, kur i vrari ka humbur jetën.
Dhe të gjitha këto janë krime që ndodhin, pavarësisht nga shtysa që ka nxitur një individ që të vrasë dikë, dhe të gjitha shkëmbehen me vdekjen.
Vdekja është frikë, por është edhe kërkesa e dikujt për t’i marrë jetën një tjetri – dhe kjo është vrasja që sjell vdekje. Dhe kjo vdekje e kryer si krim nuk ka vetëm dënim penal nga një gjykatë, por ka dhe një dënim moral për vrasësin nga një rreth i gjerë njerëzish, nga një qytet, apo edhe nga një shtet.
Por kjo lloj vdekjeje është e rëndë dhe prandaj krijon akses një qytet apo krejt në një shtet.
Por jeta është jetë dhe vrasja është krim.
Por pse kryhet? Këtë askush nuk mund ta dijë se si. dhe askush ende nuk e di se çfarë është ajo që e krijon në mendje dëshirën e vrasësit për të vrarë dikë tjetër, që është njeri si edhe ai vetë.
Por, ti marrësh jetën tjetrit, sigurisht që është barbari primitive.
Ai e vret, tjetri ka vdekur, dhe vrasësi jeton normalisht me një krim që ai vetë ka kryer. Dhe është vdekja e tjetrit si dëshirë kriminale që ka shtyrë vrasësin në vrasje.
Por çfar përmban vrasja në kuptimin e saj?
Vrasja është akti që me një armë apo me një mjet të fortë dikush ka goditur dikë dhe ai ka vdekur.
Dhe ky është krim që dënohet.
Po individi që e kryen vrasjen, nuk e di që ai do dënohet?
Ai e di që do dënohet, por brenda tij qëndron e ndezur një ndjenjë për hakmarrje, një ndjenjë për xhelozi apo dhe një ndjenjë kriminale për të fituar paratë e të vrarit; por ka dhe vrasje me pagesë, kur dikush vret dikë sepse, për të kryer këtë vrasje, ai është paguar.
E pra, të gjitha këto rrethohen nga vdekja e dikujt. Dhe atij i është marrë jeta.
Dhe këtu gjithçka përfundon: si mund t’i marrësh jetën dikujt?!
Dhe kjo pyetje nuk ka përgjigje. Sepse ngarkesat e brendshme psikologjike janë të shumta.
Por një gjë është e qëndrueshme: ti ke marrë jetën e një tjetri. Po ti, a nuk ke dhe ti jetën tënde që e mban brenda teje si vlerën më të madhe që ke?
Sepse ti për atë mendon dhe për atë gëzon me të gjithë mendimin tënd, dhe, vetëm për jetën tënde mendon, edhe kur nuk e shpreh me fjalë.
E pra? Asgjë tjetër nuk vihet para saj, dhe të gjitha të tjerat vijnë pas saj.
Por atëherë, pse ndodh një vrasje që i merr jetë një njeriu?
Ja, kjo është enigma qenies njerëzore./ S,M