Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj akuzave që sipas tij janë bërë nga “organizata e Sali Berishës” (“Syri.net”) në lidhje me bashkëshorten e tij për fondet e USAID.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha ka sqaruar se bashkëshortja e tij nuk ka punuar asnjëherë për East West Management Institute, por për organizatën holandeze East-West Parliamentary Practice Project, e cila financohet nga qeveria holandeze dhe Bashkimi Europian.
Ai më tej thotë se Berisha ka humbur çdo pikë dinjiteti, duke shpërndarë mashtrime të ulëta, ndërkohë që e di shumë mirë se ai dhe zyrtarët e PD-së, në ditët e saj të vështira, kanë qenë përfituesit kryesorë nga organizata e drejtuar nga bashkëshortja e tij.
Reagimi i plotë i Bashës:
“Organizata e Sali Berishës ka shpërndarë sot një tjetër mashtrim në lidhje me familjen time.
Së pari, bashkëshortja ime nuk ka punuar kurrë dhe as nuk punon për East West Management Institute.
Ajo ka punuar për organizatën holandeze East-West Parliamentary Practice Project, e cila financohet tërësisht nga qeveria holandeze dhe BE, dhe nuk është financuar asnjëherë nga qeveria apo ndonjë organizatë amerikane.
Sali Berisha e ka humbur çdo pikë dinjiteti, duke shpërndarë mashtrime të ulëta, ndërkohë që e di shumë mirë se ai dhe zyrtarët e PD-së, në ditët e saj të vështira, kanë qenë përfituesit kryesorë nga organizata e drejtuar nga bashkëshortja ime.
Organizata e Sali Berishës duhet të bëjë transparencë mbi financimet e saj në radhë të parë, ndërsa halli i Berishës dhe familjes së tij nuk zgjidhet me mashtrimet e ndyra që ai përhap përmes audioparlantëve të tij. Shqipëria meriton më shumë”./e.t