Një ngjarje e rëndë tronditi lagjen Ma Campagne në Angoulême (Charente) mëngjesin e 24 shkurtit. Shqiptari Elis Alijaj, 40 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri para banesës së tij në rrugën du Lézard Vert, rreth orës 07:00 të mëngjesit.
Si çdo ditë, ai u ul në timonin e furgonit të tij, gati për të nisur ditën e punës si instalues kaldajash dhe hidraulik. Pak çaste më vonë, u dëgjuan disa të shtëna armësh, dhe sipas dëshmitarëve, një makinë me ngjyrë të errët u largua me shpejtësi nga vendngjarja.
Gruaja e viktimës e pranishme në momentin e ekzekutimit
Në momentin e sulmit, bashkëshortja e Elis Alijaj ndodhej pranë tij. Dëshmitarët tregojnë se ajo ishte në gjendje shoku dhe vraponte e dëshpëruar mes furgonit dhe banesës, ku ndodheshin dy djemtë e tyre.
Autoritetet: Atentati mund të jetë i lidhur me krimin e organizuar
Sipas policisë, Alijaj u qëllua tre herë, në këmbë dhe në kraharor. Hetuesit dyshojnë se ngjarja ka lidhje me krimin e organizuar.
“Kjo vrasje duket si një akt i kriminalitetit të strukturuar”, tha komisari Jean-Luc Taltavull për gazetën Charente-Libre.
Për komunitetin lokal, ky ekzekutim mbetet i pakuptueshëm. Viktima ishte me origjinë shqiptare, ndërsa familja e tij ishte vendosur në Francë prej shumë vitesh. Ai njihej si një njeri i qetë dhe i respektuar nga fqinjët.
“Ishte njeriu më i mirë në botë, i sjellshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar”, tregon një fqinj.
Makina e autorëve gjendet e djegur, brenda saj një pistoletë-mitraloz
Vetëm pak orë pas ngjarjes, policia gjeti një Renault Scenic të djegur në pyllin e La Braconne, në Jauldes (Charente). Brenda saj u zbulua një pistoletë-mitraloz, e cila dyshohet se mund të jetë arma e përdorur në vrasjen e shqiptarit Elis Alijaj.
Hetimet për zbardhjen e ngjarjes vazhdojnë, ndërsa autorët e ekzekutimit janë ende në arrati./E.T