Ai fitoi një Oscar për portretizimin e policit të Nju Jorkut, Popeye Doyle, në filmin The French Connection të vitit 1971, një detektiv që arrin të kapë kriminelët, por me një kosto të lartë. Në filmin The Conversation (1974), ai interpretoi një ekspert përgjimi të fiksuar pas punës së tij deri në pikën e obsesionit, duke humbur çdo perspektivë.
Hackman fitoi Oscar-in e tij të dytë për rolin e Little Bill Daggett, sherifi i dhunshëm në filmin Unforgiven të Clint Eastwood (1992).
Personalitete të njohura dhe fansa kanë nisur të ndajnë homazhe në rrjetet sociale për legjendën e ndjerë të Hollywood-it.
Regjisori fitues i Oscar-it, Francis Ford Coppola, i cili punoi me Hackman në The Conversation, shkroi në Threads: “Humbja e një artisti të madh është gjithmonë shkak për pikëllim dhe festim njëkohësisht.”
“Ai ishte një aktor i jashtëzakonshëm, frymëzues dhe kompleks në punën e tij. Pikëlloj humbjen e tij, por festoj ekzistencën dhe kontributin e tij,” shtoi Coppola.
Aktori dhe shkrimtari George Takei e quajti Hackman “një nga gjigantët e vërtetë të ekranit” në një postim në rrjetet sociale.
“Gene Hackman mund të luante këdo dhe në interpretimin e tij ndjeje një jetë të tërë pas personazhit. Ai mund të ishte gjithkush dhe askush, një prani e fuqishme ose një njeri i zakonshëm,” shkroi Takei. “Do të na mungojë, por puna e tij do të jetojë përgjithmonë.”
Vdekja e Hackman ndodhi vetëm disa ditë para ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar të dielën.
Ai ishte 36 vjeç kur arriti suksesin e madh me rolin e tij në Bonnie and Clyde (1967), një rol që e fitoi pasi humbi audicionin për rolin e z. Robinson në The Graduate. Para kësaj, Hackman kishte shërbyer në Marinë, kishte punuar në Kaliforni dhe Nju Jork – ndonjëherë me shokun e tij të dhomës, yllin e The Graduate, Dustin Hoffman – dhe kishte mbajtur punë të ndryshme, si shofer kamioni dhe roje nate.
Ai u tërhoq nga aktrimi në moshën 74-vjeçare dhe jetonte në Santa Fe me Arakawa-n, një ish-pianiste klasike, duke qëndruar kryesisht larg syrit të publikut.
Hackman la pas tre fëmijë nga martesa e tij me ish-bashkëshorten e ndjerë, Faye Maltese, e cila vdiq në 2017./ S,M