Gjirokastra është një nga qytetet që turistët e huaj po e vizitojnë në çdo kohë. Gjatë stinës së dimrit qyteti i gurtë së bashku me rrethinat ka regjistruar 10 mijë turistë.
“Në Bashkinë e Gjirokastrës kemi patur një numër të konsiderueshëm vizitorësh, kjo për faktin sepse Gjirokastra tashmë është kthyer në një qytet muze ku vizitorët si të huaj dhe ata vendas e preferojnë dhe e frekuentojnë qytetin tonë pothuajse gjatë gjithë vitit, sigurisht sezoni turistik i pranverës fillon tani në muajin Mars, por edhe gjatë dimrit numri i atyre që kanë vizituar Gjirokastrën ka qenë i kënaqshëm”, tha Alisa Gushi, drejtore e Agjencisë së Turizmit, Bashkia Gjirokastër.
Jo vetëm për qendrën historike të qytetit, por vizitorët po tregojnë interes të shtuar edhe për vlerat natyrore dhe trashëgiminë kulturore.
“Mbeten vlerat e Gjirokastrës, të cilat janë kalaja, muzeu Etnografik, muzeu “Kadare”, Luftës së Ftohtë, Pazari karakteristik, për të cilat vizitueshmëria është shumë e lartë dhe interesi i atyre që vijnë është shumë i lartë”, tha Gushi.
Në prag të pranverës, institucionet publike dhe biznesi lokal kanë nisur përgatitjet për flukset e larta turistike.
“Përveç një numri të madh aktivitetesh që po përgatitemi tani për sezonin veror, ajo që ka më shumë rëndësi janë përgatitja e fletëpalosjeve pra për një mirinformim të të gjithë vizitorëve që vijnë në qytet duke nisur nga hartat, pikat turistike, të cilat duhet të vizitojnë, për të lehtësuar lëvizjen e tyre nëpër qytet”, tha Gushi.
Përgjatë vitit 2024, Gjirokastra u vizitua nga mbi 700 mijë turistë vendas dhe të huaj duke e kthyer këtë sektor në promotorin e ekonomisë lokale./E.T