27.02.2025 – Me ftesë të homologut të tij turk z. Hakan Fidan, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Ankara, Turqi.
Ai u prit në një takim të përzemërt nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, z. Hakan Fidan, me të cilin zhvilloi një shkëmbim të frytshëm mendimesh lidhur me zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe për sa i takon bashkëpunimit rajonal, zhvillimeve në rajon, Evropë dhe më gjerë.
Në lidhje me vizitën e sotme zyrtare në Ankara, Ministri Igli Hasani u shpreh:
“Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqja e investitorëve turq në Shqipëri që ofron gjithmonë potencial të lartë e të favorshëm investimi, avancimi i shkëmbimeve tregtare me objektiv shifrën e 2 miliard eurove, dinamikat rajonale e më gjerë për sigurinë e stabilitetin, forcimi i bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, Samiti i VI-të i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Maj 2025 në Tiranë, etj. – ishin disa prej temave që diskutuam me mikun e mirë, Hakan Fidan”./K.K