Xhazi shëlbues i Abdullah Ibrahimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bujar Meholli

Emri i Abdullah Ibrahimit lidhet me një gamë të gjerë kompozimesh xhaz që e bëjnë atë ndër figurat prominente të zhanrit dhe kontribues universal arti i cili me muzikën e tij synon bashkimin e kulturave, religjioneve, identiteteve në një tolerancë iluministe-racionale – kompozimet e tij, një koleksion albumesh nga African Piano, The Enja Heritage, Cape Town Fringe, The Journey, te Water from Ancient Well, Mindif, Mantra Mode, Cape Town Flowers, rezonojnë arsenal tejet të pasur emotiv pleksur me një kompleksitet ritmiko-tingullor që çanë stereotipet klishe, zhbirilon brendësinë humane dhe sintetizon traditat kulturore-muzikore. Afërmendsh, ky bir afrikan me plot ëndrra utopiste për botën, muzikën e rrënjosë te peizazhi koloristik, i virgjër, i Afrikës së tij. Periudha e xhazit early te Ibrahimi karakterizohet nga ritmet dhe meloditë e fiseve indigjene afrikane, aty merr si të thuash formën muzika e tij, perspektiva e së cilës do t’i kalojë caqet kulturore, veçan me konvertimin në islam ku dhe ndryshoi emrin në Abdullah Ibrahim, i lindur si Adolph Johannes Brand, e herë pas here i paraqitur edhe me pseudonimin Dollar Brand.

Në Cape Town, si adoleshent, u njoh me këtë formë ekzotike të shprehjes muzikore ku emra si Charlie Parker, Miles Davis, Dizzy Gillespie apo Duke Ellington e kishin konsoliduar dhe e kishin bërë normë e standard, një zhanër muzikor brendësia e së cilit konsiston në protestën ndaj statukuosë ekzistuese sociale, paragjykimeve racore, sidomos gjendja e popullit afro-amerikan nën patronazhin e hierarkive të bardha. Virtuoziteti i teknikave të lojës së Duke Ellington-it e Thelonious Monk-ut i lanë mbresa të veçanta pianistit të ardhshëm Abdullah Ibrahim. Teknika e lojës së tij inkorporon pikërisht politonalitetin – Ibrahimi krijon tingujt që i kapërcejnë kufijtë melodiko-ritmik afrikan, ai përfshinë tinguj unikë me elemente mikste tradicionale e moderne, përzien ritmet puro afrikane me ritmet amerikano-perëndimore. Kështu hasim një jokonvencionalitet të vetëdijshëm harmonik e inovacion ritmik, ngase strukturat muzikale që ai ndërton janë të lira, komplekse, me thellësi emocionale – megjithëse në gjenezë e ruajnë apriori theksin e shkallëve pentatonike dhe substratin e ritmit afrikan.

Abdullah Ibrahim është interpret improvizues. Lojën e tij në piano e karakterizon stili lirik, shtrirja e tingujve drejt kapjes së thelbit shpirtëror, delikat, vetërealizimit duke hapur portat e kulturës universale. Kjo është një pikë kruciale e gjithë karrierës së tij muzikore ngase ai mëton ta globalizojë muzikën, një proto-xhaz universal që nuk e trandë kurrfarë muri grotesk reaksionar, qoftë racor, ekstremist religjioz apo nacionalist. Thellimi në korpusin e tij muzikor do të thotë udhëtim midis traditave, bashkëjetesës dhe iluminizmit racional – xhazi është pacifist, humanist, unitar, multikulturor e gjithëpërfshirës. Një interpretim analitik i figurës së Abdullah Ibrahimit gjithsesi priret drejt aktivizmit të tij social, bile kjo është shenja sinjifikante, kuptimplote, e dualizmit që e bëri midis muzikës dhe qytetarisë aktive. Ibrahimi në thelb ishte pacifist. Prodhimi i tij muzikor përballej me një realitet mbytës, arbitrar, të aparteidit. Në Afrikën e Jugut, madje, u ndalua e censurua muzika e tij, nga qarqe radikale politike e nacionaliste. Megjithëse jo krejt direkt, aura muzikale e Ibrahimit ravijëzohet nga rezistenca pasive, artistike, kundrejt aparteidit dhe kufizimit njerëzor – ai është shndërruar në simbol të lirisë dhe dinjitetit muzikor, shpresës për ditë më të mira, për barazi e drejtësi sociale, luftës frontale ndaj racizmit e ksenofobisë. Konvertimi i tij në islam luajti një rol të veçantë në krijimin e një muzike të përshpirtshme, shëlbuese, ku parimet islame përzihen e shkrihen me ritmet moderne perëndimore dhe spiritualitetin afrikan.

Lexo edhe :  23 Prilli – Dita e Librit/ Lufta e vështirë e librit, me një lexues që ka humbur durimin

Ndikimi nga doktrina fetare islame e bënë xhazin tejet delikat dhe e formëson përshpirtjen – kompozime si Tariq, Hajj, Zikr apo Barak’t janë gjurmime, eksplorime, për ta kanalizuar transcendentalen. Ibrahimi pas konvertimit në islam nis e merret me aspektet shpirtërore ndaj dhe natyra e muzikës së tij bëhet meditativo-refleksive; synon të plekset me harmoninë melodike që sikur kulmon me frymën hyjnore, me njëfarë ndjenje të thellë të pranisë hyjnore në muzikën që merr trajtat e lutjes, shëlbimit, meditimit, trshnā-s dhe vedanā-s, pra, etjes dhe ndjenjës për përshpirtje, brenda vijńāna-s, vetëdijes në thelbin e së cilës është individi, sipas Bodhisattva-s. Muzika e Ibrahimit synon krijimin e arketipit përkushtues-meditativ ndaj parimeve dhe mësimeve islame me ritmin e tyre, përkitazi me shkrimet e shenjta, ezanin si lajmëtar të përkushtimit e meditimit, faljes, lutje të ndryshme kuranore që krijojnë pulsin shpirtëror në sinkron me devotshmërinë dhe përkushtimin në mësimet teologjike islame. Krijimi i ritmeve delikate xhaz i mundëson Ibrahimit ta sendërtojë konceptin e improvizimit, taqsim siç njihet, dhe t’i kombinojë ritmet e pasura afrikane me sufizmin islam, përmes politonalitetit, kështu ato të shkrihen me njëra-tjetrën në një spontanitet lirik dhe muzika të bëhet dorëzan i përkushtimit fetar, praktikës shpirtërore dhe konceptit të ibadetit, adhurimit. Nën këtë frymë shëlbimi ai krijon një album klasik Good News from Africa me basistin Johnny Dynai; kritikët muzikorë e konsiderojnë ndër krijimet më harmonjoze ekzotike të fillimviteve 70; ky album është xhaz mikst i ritmeve tradicionale afrikane, ndikuar nga krishterimi i hershëm, me ato islamike mjaft delikate-transcendentale, shëlbuese, nëpër incizime si Ntsikanas Bell, Msunduza, The Pilgrim, Adhan & Allah-O-Akbar, Good News-Swazi/Waya-Wa-Egoli… Muzika e këtij tandemi të magjepsë, ajo plekset me amalgamë ndijimesh që variojnë nga njëfarë pesimizmi dark ekspresionist te një kulm deliri e ngazëllimi, si forcë dhe shpresë – çfarë e përçon më së miri imanenca e xhazit free/soul në eksplorimin e kompleksitetit identitar.

Në vitet ’60, shënjuar nga periudha e aparteidit afrikano-jugor, gjendja sociokulturore diktohej nga një represion racor e kulturor, është koha kur Ibrahimi zhvendoset në Nju-Jork prej nga hyri dinjitar në skenën e xhazit dhe bashkëpunoi me emra si Duke Ellington, Max Roach, Carlos Ward, e të tjerë, duke u bërë pjesë e orkestrave klasike evropiane. Pesha e xhazit të tij konsiston në universalizmin e adaptuar në zhanër, indiciet e një kompozitori transcendental që muzikën e shfrytëzon veçse si mjet refleksioni e përshpirtjeje, ekslorim të muzikës klasike, edhe si afirmim të identitetit dhe kulturës së vendlindjes, gjithashtu si rezistencë kundrejt agresionit, stereotipeve e represionit racor; incizimet e tij krijojnë amalgamën e zhbirilimit të vlerave të përbotshme muzikore: nga ritmet e vjetra me rrënjë afrikane, himnet kishtare, xhazi perëndimor, te muzika e përshpirtshme, mistike-sufiste, islame. Solot e tij janë thjesht brilante, të tejkohshme. Pleksen me gjakimin për meloditë lirike, tejet shpirtërore, përbrenda një tradite të lashtë dhe të pasur që evokohet me elemente të reja.

 

Të fundit

“‘Djathtas për Zhvillim’ nuk del pa mandate”, Shehi: 30% e shqiptarëve do votojnë ndryshe

Nga një prej lagjeve më të vjetra të Tiranës, ajo e “Tregut Elektrik”, kreu i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”,...

Gazetarja Eni Vasili zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH

Gazetarja dhe moderatorja e njohur Eni Vasili është zgjedhur drejtoreshë e përgjithshme e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Vasili u zgjodh në votimin e dytë, ku...

Aksident i rëndë në tunelin e Kalimashit, përplasen dy makina, tre persona të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të premteje te tuneli i Kalimashit në rrugën e Kombit. Mësohet se dy makina janë përplasur...

Njerëzit e zgjuar zgjedhin vetminë për një arsye shumë interesante

Shumë njerëz besojnë se vetmia shkaktohet nga paaftësia për t’u socializuar apo mungesa e miqve. Por rezulton se edhe kur jemi të rrethuar nga...

Dështon për herë të gjashtë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Për të gjashtën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Edhe në mbledhjen e sotme, deputetët nuk kanë votuar Albulena Haxhiun, propozimin e...

Lajme të tjera

Web TV