3 kryetarë bashkie do jenë kandidatë të PS në listat për deputetë, çka është pasur me dorëheqjen e tyre dhe komandimin në detyrë të nënkryetarëve në Mat në vend të Agron Malajt, dhe në Tepelenë në vend të Tërmet Peçit, në mbledhjet e këshillit të mbajtura këtë të mërkurë.
Por në rastin e Ervin Demos, i cili është dhe drejtues politik në Berat, ende nuk është mbledhur këshilli për pranimin e dorëheqjes, pasi Demo ka qenë në takimet intensive të kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politik për finalizimin e listave. Mbledhja e Këshillit mund të mbahet të enjten ose të premten, por ndërkohë, njoftimin për dorëheqjen e tij në KQZ qeveria e bëri përmes një shkresë të prefektit të qarkut të Beratit.
Në bazë të ligjit për qeverisjen vendore, nënkryetarët do të kryejnë funksionet e kryetarëve deri në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Por se kur do të mbahen këto zgjedhje, ende nuk është e qartë. Në momentin që qeveria njofton presidentin për vakancat në 3 bashkitë, sipas Kodit Zgjedhor, 48 orë nga momenti i njoftimit nga qeveria, Presidenti i Republikës duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, jo më larg se 30 deri në 45 ditë nga njoftimi.
Për të shmangur zgjedhje të pjesshme në 3 bashki të vendit, në një kohë që partitë politike do të jenë angazhuar në fushatën elektorale për garën e parlamentareve të vitit 2025, gjasat janë që më 11 maj, kur vendi zgjedh parlamentin e ri, në Mat, Tepelenë dhe Berat, qytetarët të votojnë edhe për kryetarin e ri të bashkisë
Nga sa Report Tv mëson nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ligjërish kjo mund të ndodhë pasi nuk ka asnjë pengesë. E për tu realizuar, qeveria duhet të njoftojë vakancat në presidentë pranë fundit të marsit, në mënyrë që afatet ligjore të korrespondojnë me 11 majit e zgjedhjeve parlamentare.
Njoftimi ne KQZ per doreheqjen e Ervin Demos
‘Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Tiranë. Bashkëlidhur gjeni shkresën me nr.236/1 prot., datë 11.3.2024, të prefektit të qarkut të Beratit, me lëndë “njoftim mbi dorëheqjen e kryetarit të bashkisë berat z. Ervin Demo”, për ndjekje dhe veprim nga ana juaj sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi’, thuhet në njoftim. /e.t