Siguria Ushqimore dhe sfida e (kapërcimit të) mbetjeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Andon Rrapokushi

AR Consulting

Në shtator të vitit të kaluar Komisioni Europian (KE) publikoi raportin vjetor për Sigurinë Ushqimore të Rrjetit ACN për vitin 2023. ACN (Alert and Cooperation Netëork) është Rrjeti i Alertit dhe i Bashkëpunimit që menaxhohet nga KE në lidhje me çështje të sigurisë ushqimore. KE siguron mbështetjen teknologjike të këtij rrjeti përmes platformës iRASFF, i cili lejon shkëmbimin e informacionit ndërmjet vendeve anëtare të BE-së përmes njoftimeve të ACN për rreziqet që vijnë nga fallsifikimet ushqimore.

Në raportin vjetor të këtij rrjeti, theksohet se mashtrimi me ushqimin (Food Fraud) është elementi kyç i raportit, dhe për vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, pati një rritje prej 8% në  njoftimet e RASFF-it (pa përmendur njoftimet e bëra nga 3 rrjetet e tjera anëtare të ACN), me një total prej 4695 njoftimesh të komunikuara dhe shpërndara, ku 4199 (ose 89%) kishin të bënin direkt me ushqimin për njerëzit, 303 me ushqimin për kafshët, dhe 193 me materialet në kontakt me ushqimin. Më shumë se 1/3 e njoftimeve të RASFF-it për 2023 ishin refuzime në kufi. Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, edhe për vitin 2023 çështja më e raportuar nga RASFF kishte të bënte përsëri me mbetjet e pesticideve, e ndjekur nga afër nga mikroorganizmat patogjenë (bakterie, viruse etj). Vendet kryesore që bënë njoftimet e rasteve të fallsifikimit ushqimor nëpërmjet rrjetit ACN vazhduan të jenë Gjermania, Holanda dhe Belgjika, sipas raportit në fjalë.

Kategoritë e rreziqeve të njoftuara në mënyrë të përsëritur edhe gjatë vitit 2023 janë pesë: 1) mbetjet e pesticideve (të gjendura në fruta, perime, erëza dhe drithëra), 2) Salmonella (e gjendur në mishin e shpendëve, në fara dhe produkte arrash), 3) materialet në kontakt me ushqimin (FCM – Food Contact Materials), siç janë silikoni, metalet (plumb, krom), kapakët e kavanozëve etj., 4) Vibrio (bakterie të gjendura në krustacet e ujërave bregdetare) dhe 5) Aflatoksinat (në arra, produkte të arrave dhe fara). Nga 10 pesticidet që janë në top listën e mbetjeve të gjetura sipas raportit të ACN, fatkeqësisht 8 janë substanca të paautorizuara që përdoren akoma, nga të cilat listën e kryeson Chlorpyrifos me 299 raste të raportuara jo vetëm në Europë, por edhe në vende të tjera të botës. (Kjo substancë e rrezikshme u raportua se u gjet edhe në 3 ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria në Kroaci gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2024).

Gjermania (e cila është një nga tregjet më të rëndësishme me vlerë të lartë për eksportet e frutave dhe perimeve shqiptare), është i pari në toplistën e vendeve të BE-së që kryen kontrolle të rregullta të produkteve ushqimore që importon; vetëm për vitin 2023 numri i kontrolleve zyrtare të kryera në vijimësi është 1954 (mesatarisht 163 kontrolle në muaj), dhe janë njoftuar 592 raste (rreth 50 raste/muaj) që kanë rezultuar me ndotje ose fallsifikime të produkteve ushqimore. Meriton të vihet në dukje fakti që ndjeshmëria ndaj problemeve me sigurinë ushqimore, ndaj mbetjeve dhe ndotjeve të frutave, perimeve, të produkteve të mishit dhe të qumështit, në vendet e BE-së po vjen në rritje. Veçanërisht në vitin 2023 Franca e rriti aktivitetin e saj në këtë drejtim me mbi 50% të rasteve të raportuara në krahasim me vitin 2022. Kontrollet dhe njoftimet e bëra në lidhje me shkeljet në sigurinë ushqimore nuk përfshijnë vetëm mbetjet e pesticideve, por edhe mbetjet e krijuara nga ambalazhimet dhe konservimet e ushqimeve, mbetjet nga patogjenët mikrobialë, nga viruset e parazitët, antibiotikët etj.

Tendenca në rritje e ndjeshmërisë së BE-së ndaj fallsifikimeve ushqimore nga viti në vit është një sinjal që tregon se strukturat dhe organet kompetente përkatëse në Shqipëri për sigurinë ushqimore duhet të rrisin shumë më tepër ndjenjën e përgjegjësisë, aktivitetin e tyre monitorues, kontrollues dhe raportues të rasteve kur produktet tona dhe ato të importit dalin me mbetje pesticidesh, me organizma të dëmshëm patogjenë etj. Gjithashtu e rëndësishme është që ky aktivitet dhe masat e marra duhen bërë më tepër të njohura nëpërmjet mediave dhe organizimeve të ndryshme për publikun e gjerë dhe për ekspertët, nga strukturat për mbrojtjen e bimëve bazuar në Ligjin nr. 105/2016, siç janë AKU, organi inspektues për kontrollin e zbatimit të këtij ligji, dhe shërbimet e mbrojtjes së bimëve pranë drejtorive rajonale të bujqësisë për monitorimin dhe raportimin e gjendjes fitosanitare të bimëve brenda territorit që ato administrojnë, pa harruar rolin e rëndësishëm si për shërbimet veterinare edhe për mbrojtjen e bimëve që kanë AKVMB  dhe  ISUV, i cili vepron edhe si qendra kombëtare e referencës laboratorike. Rastet e njoftimeve për ndotje të produkteve më së shumti bëhen në pikat kufitare të vendeve të BE-së, gjë që konfirmon rëndësinë e kryerjes së analizave para se produktet të eksportohen nga Shqipëria. Statistikat e dhëna nga rrjeti ACN tregojnë se në vitin 2023, në pikat e kontrollit kufitar janë ndaluar për kontroll dhe konstatuar 1536 raste nga RASSF, ose 93 raste më shumë sesa kontrollet zyrtare të kryera nëpër tregje (fq. 6,7 e raportit).

Problematika e mbetjeve të pesticideve në produktet bujqësore është shumë komplekse, dhe e lidhur me disa faktorë, disa prej të cilëve kanë të bëjnë me zbatimin e rregullave për përdorimin e PMB-ve. Le të rendisim disa prej tyre:

1- Duhet të ngulitet në mëndjen e atyre që merren me shitjen e PMB-ve dhe të fermerëve që i përdorin ato mostejkalimi i kufirit maksimal të mbetjeve (MRL) të përcaktuara nga EFSA (European Food Safety Authority), për të siguruar që nivelet e përdorimit të pesticideve në produktet ushqimore janë të sigurta për konsumim.

2- Fermerët nuk mund t’i dinë MRLtë, ata duhet të informohen nga agronomët dhe shitësit e farmacive bujqësore, të cilët duhet të jenë kompetentë (ka prej këtyre të fundit që kur i pyet për listën e përditësuar të PMB-ve, hapin sytë!). Ata kanë  një licensë, dhe pjesë e punës së tyre është të japin udhëzime të qarta dhe të sakta për dozën, për respektimin e karencës, për kohën dhe për produktin për të cilin PMB-ja përkatëse është e autorizuar për tu përdorur. Por ka që thonë se kjo PMB është për 20 litra ujë, por ti mund ta përdoësh edhe për 10 litra, s’ka problem! Nëqoftëse shitësi thotë se mund ta përdorësh për 10 litra (që do të thotë 2 fishi i dozës së lejuar të PMB-së), kur etiketa udhëzon për 20 litra, atëhere ka disa hamendje në këtë rast: ose produkti nuk është cilësor (dhe shitësi është i sigurt për këtë), ose shitësi (farmacisti) është i papërgjegjshëm, pavarësisht se mund të jetë specialist, ose ai nuk është kompetent. Pa e absolutizuar, të treja gjasat janë të mundshme në tregun e inputeve bujqësore.

3- Udhëzimet sigurisht janë edhe në etiketë, por pothuajse të gjithë fermerët nuk i lexojnë etiketat me shkrime mikroskopike, ata besojnë aty ku e blejnë produktin, prandaj farmacisti apo agronomi kanë një përgjegjësi për të dhënë udhëzime të sakta, pa lënë mëdyshje për dozën apo elementë të tjerë të përdorimit.

4- Trajnimi dhe edukimi i personave përgjegjës në fermë dhe i stafit përgjegjës për sigurinë ushqimore në kompanitë grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese është një detyrë primare.

Lexo edhe :  Të dhënat e Bankës së Shqipërisë: Inflacioni bazë ra përsëri në muajin shkurt

5- Zbatimi i rregullave për spërkatjen e bimëve dhe mbajtja e shënimeve të rregullta për trajtimin e kryer, ashtu si edhe njohja dhe zbatimi i listës së përditësuar të PMB-ve të lejuara duhet të jenë prioritet.

6- Menaxhimi i integruar i dëmtuesve (IPM) është shumë i rëndësishëm për të siguruar që produktet janë të pastra dhe të shëndetshme.

7- Monitorimi hap pas hapi i situatës së bimëve nga fermerët, informimi i specialistit dhe këshillimi nga ai.

8- Metoda e zbatimit të kontrollit biologjik, e cila ka filluar të zbatohet në shumë sera që kultivojnë perime dhe fruta, si në domate, trangull, speca dhe luleshtrydhe. Kjo metodë, e cila rrit cilësinë dhe pastërtinë e produktit, duhet mbështetur dhe zgjeruar akoma më shumë, pasi është zbatuar me sukses në një grup fermerësh nga rajonet e Divjakës, Lushnjes, Fierit dhe Beratit me mbështetjen e GIZ Albania dhe të disa kompanive të njohura, si AGROKONI, Crop Tech Albania, Lisar Seedling, Albagreen 23 dhe Agrimatco.

9- Procesi i çertifikimit GLOBALG.A.P. është një tjetër mundësi për të rritur standardet e cilësisë. Kompanitë që grumbullojnë dhe eksportojnë fruta dhe perime nuk mund të pretendojnë tregje të sigurta dhe me vlerë të lartë pa u çertifikuar me GLOBALG.A.P. dhe standarde të tjerë që kërkohen nga klientët europianë.

10- Pajisja me mjete dhe aparatura të reja bashkëkohore, sidomos për analizat e produkteve dhe vënia në punë nga njerëz të kualifikuar brenda rrjetit të zinxhirit agroushqimor, të kompanive, supermarketeve etj. gjithashtu duhet marrë në konsideratë.

Përveç frutave dhe perimeve, nëse abuzohet me përdorimin e PMB-ve, mbetjet gjenden edhe në lëngjet e ndryshme të tyre që tregtohen me shumicë në supermarkete. Në një publikim të institutit shkencor MDPI në Basel të Zvicrës në korrik 2021 për ekzaminimin e shpejtë të mbetjeve të pesticideve në lëngjet e perimeve dhe frutave me titull “Rapid screening of 350 pesticide residues in vegetable and fruits juices”, thuhet se, veçanërisht kur matrica ushqimore po bëhet gjithnjë e më komplekse, teknologjia e para-trajtimit në analizën e mbetjeve të pesticideve është thelbësore për rezultate të sakta dhe të besueshme, dhe rekomandohen disa metoda para-trajtimi, ndërmjet të tjerash QuEChERS, si një metodë paratrajtimi për mbetjet e pesticideve, e çertifikuar nga Shoqata Zyrtare Amerikane e Kimistëve Analitikë (AOAC2007.01).

Promovimi dhe zbatimi i standardeve europiane të cilësisë në sektorin agroushqimor duhet të përfshijë të gjitha hallkat e zinixhirit, në nivel ferme, në standardet e transportit, në stadin e grumbullimit dhe të përpunimit, duke përfshirë dokumentacionin e saktë të identifikimit, materialet e paketimit ushqimor, etiketimin e produktit dhe elemente të tjera të gjurmueshmërisë së tij, në mënyrë që identifikimi të jetë i verifikueshëm dhe të mbajë vulën e origjinës së vet. Tashmë nevoja për ushqim në Shqipëri, me rritjen e dukshme nga viti në vit të fluksit të turistëve, është në rritje. Ky fenomen, pavarësisht se eksportet bujqësore në fund të vitit 2024 sipas shifrave zyrtare arritën në 547 milion Euro, ka sjellë rritjen e importeve të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si të frutave, të perimeve, ashtu edhe të mishit. Ndërsa prodhimi vendas i këtyre produkteve ka pësuar rënie.

Për të rritur konkurueshmërinë në tregjet vendase dhe globale, fermat e mëdha, kompanitë grumbulluese, eksportuese, importuese, supermarketet, laboratorët e analizave etj. duhet të investojnë më shumë në përdorimin e teknologjive të reja të aktivitetit të tyre, përfshirë gjurmueshmërinë e produktit. Nuk mjafton një etiketë e thjeshtë e printuar me datën e prodhimit dhe të skadencës. Duhet përfshirja e elementëve thelbësorë të identifikimit të saktë të produktit nëpërmjet vënies në përdorim të pajisjeve të reja të teknologjisë, që kërkon edhe trajnimin dhe kualifikimin e stafeve që i përdorin ato. Ka raste kur kompani të ndryshme blejnë pajisje shumë të mira dhe nuk i vënë në punë sepse nuk kanë stafin e kualifikuar për t’i përdorur, madje edhe në laboratorë të strukturave të zinxhirit ushqimor mund të gjenden pajisje të tilla të mira që presin të vihen në punë. Zbatimi i teknologjive të reja u krjon mundësi bizneseve agroushqimorë që të reduktojnë ose të shmangin situatat problematike të fallsifikimit apo mashtrimit të produktit, të identifikojnë produktet problematike dhe origjinën e saktë të tyre, të kenë lehtësim në zbatimin e procedurave të aktivitetit të tyre, në procedurat e çertifikimit etj.

Nga ky këndvështrim, duhet të shfrytëzojmë më mirë kapacitetet dhe lehtësirat që kemi në dispozicion, institucionet, programet dhe shërbimet që na ofrohen për forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore, jo vetëm për tregun e eksportit, por edhe për tregun vendas. Në Lushnje është një nga qendrat shkencore kryesore të bujqësisë në vend, me një eksperiencë të pasur dhjetravjeçare në fushën e kërkimeve bujqësore për perimet dhe grurin (QTTB Lushnje), me një staf të mirëpaguar. Duhen lidhje më të forta me bazën, për t’i shërbyer sektorit të rëndësishëm të frutave dhe perimeve, aq më mirë që ndodhet në kryeqendrën e eksporteve bujqësore, në zonën Lushnje – Divjakë. Ç’vlerë do të kenë eksperimentet e këtij institucioni për varietetet e reja të domateve, trangullit, specit, shalqinit, pjeprit etj, nëse nuk arrijnë për tu njohur e zbatuar tek qindra prodhuesit e serave të Lushnjes, Beratit, Divjakës e më tej? Pikat e grumbullimit dhe të eksportit nga ana e tyre, duhet të jenë më mëndjehapur dhe të investojnë në njerëz për trajnimet dhe kualifikimin e stafeve të tyre, për teknologjinë, për çertifikimin e produkteve, për kushtet e punës etj. Ka kompani dhe ekspertë IT nw Shqipwri, si psh Helius Systems, të cilët ofrojnë shërbime të specializuara për krijimin dhe zbatimin e platformave të reja dixhitale, të programeve software të gjurmueshmërisë së produktit etj.

Para disa muajsh Sekretariati GLOBALG.A.P. në Gjermani miratoi Udhëzimin Kombëtar të Interpretimit GRASP NIG V2 Albania, i vlefshëm për tu zbatuar që nga 30 nëntori 2024, i përshtatur sipas legjislacionit shqiptar. Ky dokument prej 30 faqesh i përgatitur nga Grupi Teknik Kombëtar i Punës NTWG Albania (një strukturë ekspertësh të sektorit agroushqimor, i njohur nga ky Sekretariat), u vjen në ndihmë të gjitha kompanive grumbulluese dhe eksportuese të frutave dhe perimeve, si edhe fermave, për të përmbushur kërkesat e standardit GLOBALGAP në aspektin social në përputhje me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërise, sidomos përsa i përket kushteve të punës në kompani dhe në fermë, ku mbetet ende shumë për të bërë.

Fushata e gjerë e ndërgjegjësimit për forcimin e standardeve të cilësisë që ka bërë NTWG Albania me takime dhe trajnime me fermerët e zonave potenciale në rajonet e Lushnjes, Beratit, Sarandës dhe Divjakës gjatë periudhës 2022-2023, Programi Kombëtar i Trajnimeve i Ministrisë së Bujqësisë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, dhe programe të tjerë të mbështetur nga agjensi dhe organizata ndërkombëtare, si psh Programi i Agrosipërmarrjes mbështetur nga Projekti Helvetas, Risi Albania, etj, janë eksperienca pozitive të cilat kontribuojnë në edukimin dhe kualifikimin e fermerëve dhe të specialistëve të bujqësisë, në funksion të krijimit të sistemeve të qëndrueshme të menaxhimit të sigurisë ushqimore, prandaj duhen mbështetur e përhapur edhe gjeografikisht sipas specifikave të zonave bujqësore.

Të fundit

Ngjela: Jemi 7.5 milionë shqiptarë në Ballkan

Nga Spartak Ngjela Budallallëqet e Beogradit kanë filluar të shfaqen rëndom nga shqiptarët në mediat shqiptare. Pse merreni me të shiturit?!! Janë...

Udhëzimi/ Afati i dorëzimit elektronik brenda 31 Marsit

Risitë e këtij viti në plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, siç njihet ndryshe DIVA është ulja e kufirit të nivelit të...

Rama në Sarandë: Me hyrjen në BE, vlera e pronës në këtë vend dyfishohet

Kryeministri Edi Rama deklaroi se pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, vlera e pasurive të patundshme në vend do të dyfishohet menjëherë. Sipas tij,...

Kryemadhi harron ndarjen, uron Metën për ditëlindje: Dhuratën do ta marrësh më 11 Maj

Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, ka uruar sot ish-bashkëshortin e saj për 56-vjetorin. Teksa ka shpërndarë një foto të kreut të PL...

Kultivimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri, rrezik për trafikun e grupeve kriminale

Në korrik të vitit 2023, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama miratoi një ligj që lejon kultivimin e kanabisit mjekësor dhe të nënprodukteve...

Lajme të tjera

Web TV