Raporti vjetor/ Alarmi i Dumanit: Po na bën presion krimi dhe politika

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kreu i Prokurorisë Speciale, Altin Dumani, ngre alarmin për kërcënimet ndaj pavarësisë së SPAK dhe pengesat institucionale që dëmtojnë hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “SPAK po përballet me ndërhyrje të drejtpërdrejta nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe media, çka e rrezikon seriozisht pavarësinë kushtetuese”, tha Dumani.

“Presioni i jashtëm është real dhe i vazhdueshëm,” deklaroi dje Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, gjatë raportimit vjetor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “SPAK po përballet me ndërhyrje të drejtpërdrejta nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe media, çka e rrezikon seriozisht pavarësinë kushtetuese të institucionit tonë dhe efektivitetin në hetime”, është shprehur Altin Dumani. Shefi i SPAK flet pa ekuivok për një klimë presioni që po dëmton integritetin e prokurorëve të posaçëm. Ai kërkon mbështetje më të koordinuar nga institucionet shtetërore. “Për të ruajtur pavarësinë e SPAK dhe për të mbështetur prokurorët që punojnë në çështje të ndjeshme, nevojitet reagim i menjëhershëm institucional. Çdo vonesë rrezikon jo vetëm proceset hetimore, por edhe besimin e publikut te drejtësia.”, tha ai. Një tjetër problematikë që Dumani e trajton me seriozitet është mungesa e një statusi të qartë për prokurorët pas përfundimit të mandatit. “Mandati 9-vjeçar është i qartë, por çfarë ndodh më pas? Kjo nuk është e përcaktuar në ligj dhe krijon pasiguri. Prokurorët duhet të kenë mundësinë të rikandidojnë, bazuar në performancë. Jo riemërim automatik, por një procedurë konkurruese dhe e drejtë,” thekson ai. Lidhur me mungesën e këshilltarëve ligjorë, Dumani ngre alarmin për ndikimin që kjo mangësi ka në cilësinë e hetimeve. “Mungesa e këshilltarëve ligjorë e vë në vështirësi ndjeshëm cilësinë e punës sonë, sidomos në ndjekjen e çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit dhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky nuk është një detaj teknik, por një pengesë reale që e ndiejmë çdo ditë në praktikë.”, u shpreh shefi i SPAK. Gjatë fjalës së tij, Altin Dumani u ndal edhe te mungesa e referimeve nga institucionet publike. “Vazhdon të jetë problematike që nga Policia e Shtetit, deri te Doganat dhe Tatimet, ka mungesë të kallëzimeve për raste të korrupsionit. Nuk është e besueshme që në këto institucione korrupsioni të jetë zero. Qytetarët po kallëzojnë më shumë, institucionet zyrtare po heshtin. Kjo është një kontrast që duhet të na shqetësojë të gjithëve.”, u shpreh Dumani. Përsa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, Dumani e konsideron shqetësuese mosrealizimin e ekstradimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe. “Kemi raste konkrete të personave të lokalizuar dhe arrestuar atje, për të cilët nuk ka ekstradim drejt Shqipërisë. Kjo situatë është bërë pengesë e drejtëpërdrejtë në luftën kundër krimit të organizuar.”, tha ai. Ai flet me ton kritik edhe për vonesën në përfundimin e sistemit të administrimit të çështjeve. “Case Management System është një domosdoshmëri për punën tonë. Procesi është pezulluar pas përfundimit të projektit të ICITAP-it dhe tani shpresojmë të finalizohet me fonde të BE-së brenda vitit 2025.”, u shpreh Dumani. Në raportimin e tij, Dumani ndalet edhe te një sërë çështjesh që sipas tij kanë nevojë për zgjidhje të shpejtë: “Statusi i specialistit ndërlidhës nuk është në përputhje me funksionet që duhet të përmbushë sipas ligjit. Mungesa e kompetencës së Gjykatave të Posaçme për fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet që hetohen nga SPAK mbetet një tjetër problem i pa adresuar. Ne kërkojmë që këto kompetenca të kalojnë te Gjykatat e Posaçme.” Në një moment kyç të raportimit, Dumani ndalet edhe te krimet zgjedhore. “Kemi pasur raportime konkrete për krime zgjedhore dhe kemi dërguar prokurorë dhe hetues në qarqe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Policinë e Shtetit. Kemi krijuar edhe një model denoncimi online për publikun, i cili ka funksionuar dhe është vlerësuar nga një grup pune i dedikuar në SPAK”, tha Dumani. Në fund të raportimit, Dumani vlerëson rezultatet e arritura gjatë vitit 2024. “Numri i të burgosurve si pasojë e hetimeve të SPAK përfaqëson 9.5% të të burgosurve në vend. Kemi 145 çështje me 765 persona të pandehur, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara ka arritur në 28.7 milionë euro, dhe ajo e konfiskuar në 36.7 milionë euro. Kemi një rritje me 59% të vlerës së pasurive të sekuestruara krahasuar me një vit më parë.”, tha ai. Sipas tij, besimi i publikut është rritur ndjeshëm. “Kemi 36% më shumë kallëzime nga qytetarët. Kjo është një tregues i qartë se publiku po na beson. Tani është radha e institucioneve që të na mbështesin më konkretisht dhe më zëshëm”, nënvizoi Dumani. Ai mbyll raportimin me një thirrje të drejtpërdrejtë: “SPAK nuk është i paprekshëm, por është i vendosur. Ne nuk kërkojmë mburoja politike, kërkojmë mbështetje institucionale dhe ligjore. Jemi të gatshëm të përballojmë çdo sfidë, por kërkojmë që loja të jetë e ndershme dhe rregullat të vlejnë për të gjithë.”

Të fundit

Rama-komentuesit: Mos e kruani me patronazhistët se janë hakmarrës dhe inatçorë!

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me serinë e tij të lidhjeve direkte “Sy m’sy”, ku ka diskutuar...

Balla, thirrje shqiptarëve të Greqisë/ Tërhiqni sa më shpejt zarfin me fletën e votimit

Nga Athina, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë bashkatdhetarëve shqiptarë në Greqi që ende nuk kanë tërhequr...

“Blackout” i energjisë, Spanja dhe Portugalia shpallin gjendjen e emergjencës

Qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë kanë shpallur gjendje emergjence pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike , ndërsa operatorët e rrjetit po përpiqen të rikthejnë...

Veliaj në qeli/ Rama: Shpresojnë që SPAK të shkrijë PS, por ne do të marrim më shumë vota

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe akuzave se duhet të largohet për shkak se ka persona të qeverisë në burg. “Ku i ke parë këto dorëheqjet me...

“Travel Off Path”/ Pse Shqipëria po bëhet destinacioni kryesor turistik në Evropë?

Evropa të sjell në mendje imazhe të bulevardeve madhështore pariziene, rrënojave të lashta romake dhe plazheve spanjolle të mbushura me diell, sipas “Travel Off...

Lajme të tjera

Web TV