“Rishikimi i politikave dhe prioritetet e reja, që synojnë ripërtëritjen e premtimit të prosperitetit për të gjithë përballë sfidave të mëdha”. Ky ishte mesazhi kryesor i fjalimit të parë të Friedrich Merz si Kancelar në Bundestag , një javë pas marrjes së detyrës.
Ai premtoi gjithashtu se ushtria gjermane do të bëhet ushtria konvencionale më e fortë në Evropë.
“Që tani e tutje, qeveria gjermane do të sigurojë të gjitha burimet financiare që i nevojiten Bundeswehr-it për t’u bërë ushtria konvencionale më e fortë në Evropë”, theksoi ai, duke shtuar se kjo është ajo që kërkojnë partnerët e Berlinit në BE dhe NATO.
Merz e vuri theksin te ekonomia dhe politika e jashtme, duke premtuar “përmirësim të dukshëm” për qytetarët deri në verë, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për Ukrainën dhe Izraelin. Në të njëjtën kohë, ai e vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Olaf Scholz.
Duke iu referuar recesionit të vazhdueshëm të ekonomisë gjermane, kancelari gjermane foli për një “krizë ekonomike të paparë” që prek vendin, duke vënë në dukje se “kurrë në të kaluarën nuk kemi përjetuar një mungesë kaq të zgjatur të rritjes ekonomike”.
Siç theksoi ai, efektet janë të dukshme në punësim, madje edhe në sektorë strategjikë, siç janë industria e automobilave, prodhimi i kimikateve dhe makinerive të mëdha.
“Qeveria federale po investon në krijimin e një shteti modern dhe një administrate dixhitale. Unë i përkas një brezi që përjetoi rritje të qëndrueshme. Megjithatë, shumë të rinj vënë në dyshim nëse premtimi i Ludwig Erhard për “prosperitet për të gjithë” është ende i vërtetë. Qeveria duhet t’i largojë këto dyshime dhe kjo është arsyeja pse po investojmë”, tha ai, duke theksuar se rritja e konkurrueshmërisë është një përparësi kryesore, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian të zvogëlojë burokracinë.
Tregu i punës do të jetë një fushë qendrore për qeverinë e re gjermane, siç deklaroi Kancelari, duke theksuar qëllimin për të promovuar punën vullnetare pas moshës 67 vjeç, përjashtimin e orëve shtesë nga taksat dhe fleksibilitet më të madh në llogaritjen e orëve të punës, bazuar në javë dhe jo në ditë.
Megjithatë, në lidhje me pagën minimale, ai deklaroi se është “e realizueshme dhe e dëshirueshme” që ajo të rritet në 15 euro/ora deri në vitin 2026, por sqaroi se kjo “nuk do të garantohet ligjërisht”, siç ka qenë deri më tani. Merz premtoi gjithashtu stimuj dhe investime për ndërtimin e ndërtesave të reja, me qëllim ofrimin e strehimit të përballueshëm. m.p.