Jemi në prag të mesnatës (15 maj) dhe procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit thuajse ka mbaruar. Kanë mbetur kryesisht votat e diasporës në Greqi.
Le të bëjmë një llogari sesa besim u dhanë shqiptarët partive të reja këtë vit, duke qenë se shumë u fol për to dhe pritshmëritë ishin relativisht të larta, duke qenë se rënia e PD-së pritej.
“Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt deri tani ka marrë rreth 61 mijë vota në rang kombëtar. “Mundësia” e Agron Shehajt ka marrë rreth 48 mijë vota, kurse “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit ka marrë rreth 24 mijë vota. Gjithsej, rreth 133 mijë vota së bashku si alternativa të reja. Kjo shifër mund të shkojë deri në 140 mijë me numërimin e nesërm.
Shehaj ka fituar dy mandate, kurse Lapaj dhe Qori nga një. Nëse do të kishin garuar në një koalicion, sot ata do të kishin edhe tre mandate shtesë, në Durrës, Fier dhe Vlorë. Gjithsej, 7 mandate për tri parti të reja… Jo edhe aq keq si garë e parë për to.
A treguan shqiptarët mjaftueshëm besim tek “e reja”? Mund të themi se jo. Kjo mund të thuhej vetëm nëse shqiptarët do ta ndëshkonin partinë në pushtet, duke ndodhur ajo që ndodhi në vitin 2021, kur PS nuk mori më shumë se 48,7% të votave.
Më 11 maj, PS mori më shumë se 50%, me rreth 808 mijë vota në total, rreth 40 mijë vota më shumë se katër vite më parë. Kjo tregon se PS nuk është rrudhur, por as rritur. Ajo thjesht e ka zbutur humbjen e votave në Shqipëri duke marrë epërsinë në diasporë.
Me pak fjalë, shqiptarët nuk u bindën aq shumë nga PD dhe forcat e reja politike, sa të ndëshkonin Edi Ramën. Kjo tregon se Shehaj, Lapaj dhe Qori duhet të përpiqen më shumë ose të bëjnë disa ndryshime në mënyrën sesi shfaqen në publik. m.p.