Një prind shumë mbrojtës nuk është gjithmonë një prind që jep siguri.
Këtë e sugjerojnë dy studime të fundit të realizuara nga Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Torinos, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Romës. Kërkimet hedhin dritë mbi një formë traume marrëdhënore shpesh të neglizhuar: hiperkontrolli prindëror.
Studimet tregojnë se një stil edukimi tepër mbrojtës – shpesh i përjetuar si kujdes apo vëmendje – mund të dëmtojë seriozisht zhvillimin emocional dhe njohës të fëmijëve.
“Kemi treguar se ndërhyrja e tepruar e prindërve mund të jetë po aq e dëmshme sa neglizhimi apo abuzimi”, shpjegon Rita Ardito, pedagoge e psikologjisë klinike dhe koordinatore e projektit kërkimor në Torino. Kontrolli i tepërt kufizon autonominë dhe e pengon fëmijën të zhvillojë vetëbesim dhe një perceptim të shëndetshëm për botën.
Çfarë thotë shkenca për hiperkontrollin: gjurmët në tru
Në studimin e parë, studiuesit përfshinë 71 të rinj pa diagnoza psikologjike, por që kishin përjetuar prindër shumë kontrollues. Përmes një elektroencefalograme (EEG), ata vëzhguan aktivitetin e trurit në gjendje pushimi dhe zbuluan një lidhje mes kontrollit të perceptuar të nënës dhe një aktivizimi të veçantë të trurit.
Të rinjtë që kanë kaluar një fëmijëri nën hiperkontroll tregojnë aktivitet më të lartë në dy zona të trurit që zakonisht aktivizohen përballë rrezikut ose kur duhen marrë vendime. Me fjalë të tjera, këta persona duken sikur janë “programuar” për të qenë gjithmonë në alarm, edhe në mungesë të ndonjë rreziku real.
Studimi i dytë, me 82 pjesëmarrës, analizoi reagimet emocionale të atyre që kishin përjetuar përvoja të ngjashme, duke treguar se kontrolli i tepruar prindëror e bën më të vështirë menaxhimin e emocioneve dhe krijimin e lidhjeve të sigurta efektive.
Një traumë që sfidon paradigmat
Studiuesit propozojnë që hiperkontrolli prindëror të njihet zyrtarisht si një formë e re traume e marrëdhënieve në fëmijëri, e krahasueshme me abuzimin emocional.
Kontrolli mund të shfaqet në forma të ndryshme: mbikëqyrje e vazhdueshme, ndëshkim për zgjedhje personale, paralajmërime obsesive për rreziqe të ardhshme, ose kufizim i shprehjes së emocioneve. Edhe pse shpesh me qëllime të mira, këto sjellje pengojnë zhvillimin e identitetit personal dhe rrisin rrezikun për çrregullime ankthi, depresioni dhe vështirësi në përballimin e emocioneve.
Në një kohë kur shëndeti mendor është në qendër të debatit publik, të dhënat e universiteteve të Torinos dhe Romës mund të ndihmojnë në krijimin e strategjive parandaluese më të ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse./E.Ç